Një djalë 13-vjeçar është cilësuar si “mbinjeri” dhe hero pasi shpëtoi jetën e nënës së tij dhe dy vëllezërve më të vegjël, duke notuar për katër orë në det të trazuar, pasi familja u mor nga rrymat në brigjet e Australisë.
Familja po shijonte një ditë relaksi me kajak dhe paddle board, kur moti ndryshoi papritur dhe i çoi rreth 4 kilometra larg bregut, në mes të oqeanit. Për më shumë se 8 orë ata mbetën të bllokuar, pa e vënë re askush mungesën e tyre, ndërsa errësira po afrohej.
Atëherë nëna e djalit 13-vjeçar i kërkoi diçka djalit të saj më të madh: a mund të notonte deri në breg për të kërkuar ndihmë? Ai e pranoi sfidën pa hezitim.
Dy orët e para ai notoi me jelek shpëtimi, por duke menduar se nuk do të mbërrinte në kohë, vendosi ta hiqte dhe vazhdoi të notonte edhe dy orë të tjera pa asnjë mbrojtje.
Ai tregoi se gjatë gjithë kohës përpiqej të përqendrohej në mendime pozitive, ndërsa notonte për rreth katër orë në det të egër drejt bregut, duke ngritur alarmin rreth orës 18:00.
“Valët ishin gjigante dhe nuk kisha jelek shpëtimi… thjesht i thosha vetes ‘vazhdo të notosh, vazhdo të notosh’,” tha Austin. “Kur më në fund preka fundin e bregut, u rrëzova dhe u shembra.”
Ai arriti të njoftojë autoritetet, të cilët dërguan menjëherë ekipet e shpëtimit. Një helikopter kërkimi gjeti nënën dhe dy fëmijët e tjerë të kapur pas një paddle board-i. Ata kishin lëvizur rreth 14 kilometra dhe kishin kaluar deri në 10 orë në ujë.
“Një nga vendimet më të vështira të jetës sime ishte t’i thosha Austinit: ‘Provo të arrish bregun dhe të kërkosh ndihmë. Situata mund të përkeqësohej shumë shpejt’,” tha nëna për Australian Broadcasting Corporation.
Ajo shtoi se ishte e bindur se djali do t’ia dilte, por ndërsa dielli perëndonte dhe ndihma nuk po vinte, dyshimi dhe frika e pushtuan.