Henrik Hoxhaj ka dëshmuar këtë të martë para Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në vijim të procesit të bujshëm “Plumbi i Artë”, duke hedhur dritë mbi atentatin e marsit 2022 në Papër të Elbasanit, ku mbeti i plagosur rëndë i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani.
Sipas Hoxhajt, pas atentatit Dumani e ka telefonuar ndërsa ishte i plagosur, duke i kërkuar që ta transportonte drejt Durrësit. Në pamundësi për ta çuar atje, Hoxhaj ka vendosur ta dërgojë në Fier, ku më pas Dumani u arrestua nga policia.
Në dëshminë e tij, Hoxhaj ka përshkruar në detaje lëvizjet, kontaktet dhe përgatitjet para dhe pas ngjarjes. Ai ka deklaruar se kishte komunikuar disa herë me Dumanin për çështjen e një personi të njohur si “Oti”, i cili dyshohej se strehonte Talo Çelën. Sipas tij, kishin planifikuar eliminimin e Otit, por ngjarja u ndërpre pasi ky i fundit përfundoi në burg për një tjetër çështje.
Hoxhaj ka treguar se ishte takuar me Dumanin në Kukës dhe më pas ishin zhvendosur në Fier, ku qëndruan në një banesë bosh. Ai ka pranuar se makinat ishin marrë me qira, ndërsa armët ndodheshin në atë që ai e quajti “makina e punës”. Sipas tij, Dumani kishte kryer prova qitjeje pranë urës së Semanit.
Në një tjetër episod tronditës, Hoxhaj ka deklaruar se ditën e arrestimit ishte ndaluar nga policia në Cërrik, por ishte lënë i lirë pasi u kishte dhënë 20 mijë lekë punonjësve të policisë.
Momenti kulmor i dëshmisë lidhet me pasojat e atentatit. Hoxhaj ka treguar se Dumani i kishte shkruar: “o kusho hajde se më vranë”. Ai ka shkuar në vendngjarje, e ka marrë të plagosurin bashkë me një tjetër person të quajtur “Liliputi” dhe dy armë, duke e transportuar fillimisht me kërkesë drejt Durrësit, por përfundimisht në Fier.
Sipas tij, gjendja e Dumanit ishte e rëndë, me shenja të qarta plage në stomak. Ai ka thirrur dy mjekë dhe nën kërcënimin e armës, ka insistuar që ndërhyrja të bëhej në banesë pasi Duman nuk mund të futej në spital.
Në fund të dëshmisë, Hoxhaj ka bërë deklarata të forta, duke akuzuar Dumanin se “i ka shitur të gjithë” dhe duke pohuar se nga vetë Dumani kishte mësuar se në atentat kishin marrë pjesë katër persona, tre me maska, ndërsa shoferi pa maskë, sipas tij, ishte Talo Çela – një version që Hoxhaj ka thënë se nuk e besoi plotësisht, por e ka përcjellë siç ia kishte rrëfyer vetë Dumani.