Ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku është shfaqur për herë të parë pas shkarkimit, në prezantimin që është duke i bërë sot Enea Karakaçit, si pasues i saj në krye të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Newsbomb.al është duke transmetuar pamje të drejtpërdrejta nga prezantimi në ambientet e MIE, ku ish-ministrja dhe ish-zëvendëskryeministrja dallohet dukshëm e prekur nga akuzat, ndërprerja e detyruar e detyrës për shkak të akuzave të SPAK dhe zëri që i dridhet.
“Asgjë nuk do të fshijë punën tuaj dhe atë që keni bërë deri më sot”, ju drejtuar Belinda Balluku stafit të dikasterit që drejtoi për shumë vite, ndërsa ata e duartrokisnin dhe disa prej tyre u fiksuan nga kamerat edhe të përlotur.
“Unë nuk kam as 300, as 30 dhe as 3 apartamente. Nuk kam as 1 e as 2 jahte, nuk as limuzina, as helikopter e as avion, por të gjitha këto janë pjesë e një gjyqi publik, i cili fatkeqësisht bëhet me lehtësinë më të madhe në këtë vend”, u shpreh ajo.
Ky ishte momenti kur ish-zëvendëskryeministrja pati një moment dobësie, e prekur nga ai që e quajti gjyq publik, ama theksoi se është rritur me gjyq publike, duke lënë të kuptohej historinë e gjyshit të saj, Beqir Balluku.
“Ndoshta kurrizi ma mban më mirë se kushdo tjetër gjyqin publik, pasi jam trajnuar dhe kalitur që e vogël. Unë di të bëj punën time, secili ka mënyrën e tij, jam munduar ta bëj më të mirën”, vijoi ajo.