Një situatë aspak e këndshme dhe tejet irrituese është denoncuar pranë redaksisë sonë nga një qytetare, e cila kishte zgjedhur një nga resortet e njohura në Elbasan për të kaluar fundjavën. Ajo që supozohej të ishte një mbrëmje qetësie, është shndërruar në një rrugëtim rraskapitës nëpër rrugët e qytetit në kërkim të një strehe të re në mes të natës.
Qytetarja rrëfen se kishte bërë rezervimin dy ditë përpara, ku stafi i hotelit e kishte siguruar për disponueshmërinë e dhomave. Megjithatë, pas mbërritjes me vonesë rreth orës 21:00 për shkak të trafikut, realiteti ishte krejt tjetër. Në vend të dhomës së premtuar në hotel, familjes i është ofruar një ambient i lënë pas dore pas godinës kryesore, për një çmim prej 8000 lekësh të reja.
Sipas dëshmisë, kushtet ishin mjerane: dritat nuk ndizeshin dhe kondicioneri nuk funksiononte. Familja, e shoqëruar nga një fëmijë i vogël, është detyruar të presë jashtë për rreth 30 minuta në errësirë, ndërsa stafi përpiqej të rregullonte defektet elektrike që qytetarja të mund të shihte ambientin ku do të qëndronte.
Përplasja ka vijuar kur qytetarja ka kërkuar llogari se përse nuk ishte njoftuar paraprakisht që hoteli ishte plot. Sipas denoncimit, reagimi i pronarit ka qenë arrogant dhe aspak profesional. “Ule zërin se jam unë pronari këtu dhe s’ma ngre njeri zërin,” mësohet t’i jetë drejtuar ai klientes, duke u mjaftuar me shpjegimin e shkurtër se nuk kishte çfarë të bënte pasi dhomat ishin zënë.
E revoltuar nga mungesa e korrektësisë dhe kushtet që nuk përkonin aspak me çmimet “stratosferike” që reklamohen si luks, qytetarja e ka braktisur resortin. Ajo tregon se e ka kaluar natën rrugëve të Elbasanit duke kërkuar një vend tjetër ku të mund të akomodohej me fëmijën e saj.
Ky rast shërben si një thirrje për të gjithë pushuesit që të bëjnë kujdes dhe të verifikojnë mirë kushtet përpara se të rezervojnë, pasi shpesh fasada e luksit fsheh pas dore një shërbim që lë shumë për të dëshiruar dhe një sjellje që nuk i ngjitet aspak etikës së mikpritjes.