Dy vajza binjake kanë ardhur në jetë ditën e sotme, në Ditën e Verës, në Spitalin Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Koço Gliozheni”, duke sjellë buzëqeshje dhe lumturi për prindërit e tyre, të cilët prej 10 vitesh përpiqeshin të bëheshin me fëmijë.
Lajmi i bukur është bërë i ditur nga Ministria e Shëndetësisë përmes një postimi në Facebook, ku theksohet se ardhja në jetë e bebeve u bë e mundur falë trajtimit të fertilizimit in vitro (IVF), i realizuar në Qendrën e Riprodhimit Mjekësor të Asistuar, një shërbim i mbështetur nga buxheti i shtetit.
Po ashtu, ministria bën me dije se deri më tani, përmes këtij programi, në maternitetin “Koço Gliozheni” kanë ardhur në jetë gjithsej 21 bebe.
“Një lajm i bukur në Ditën e Verës! Dy vajza binjake erdhën në jetë sot në SUOGJ “Koço Gliozheni”, pas 10 vitesh përpjekje nga prindërit e tyre – falë trajtimit IVF në Qendrën e Riprodhimit Mjekësor të Asistuar, një shërbim i mbështetur nga buxheti i shtetit.
Deri më sot, 21 bebe kanë ardhur në jetë në këtë maternitet përmes këtij programi, duke u dhënë shumë familjeve mundësinë të realizojnë ëndrrën e prindërimit”,shkruhet në postimin e Ministrisë.