Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Korçë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim adoleshentin Enedio Guri, i cili më 14 gusht të vitit të kaluar goditi me thikë në zemër bashkëmoshatarin e tij, Erald Xhejo.
Për gjykim janë dërguar gjithashtu babai i autorit, Edison Guri, xhaxhai, Roland Guri, dhe miku i babait, Flori Çela.
Enedio Guri akuzohet për veprat penale “Vrasje në rrethana cilësuese” dhe “Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt”, sipas nenit 79/a/ë dhe 291 të Kodit Penal. Babai i tij, Edison Guri, përballet me akuzën për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” (neni 301), ndërsa xhaxhai Roland Guri akuzohet për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, “Moskallëzim i krimit” dhe “Përkrahja e autorit në krim” (nenet 300, 301 dhe 302). Flori Çela akuzohet për “Moskallëzim i krimit” dhe “Përkrahja e autorit në krim”.
Hetimet tregojnë se ngjarja ndodhi në ambientet e jashtme të lokalit “Amar”, në fshatin Pirg, ku viktima dhe autori kishin pasur një konflikt fizik. Pamjet filmike të siguruara nga kamerat e sigurisë tregojnë se Enedio Guri mbante thikën, ndjekte viktimën mes tavolinave dhe, pas rrëzimit, e godet duke shkaktuar plagën fatale.
Gjithashtu, nga hetimet rezultoi se babai i autorit, Edison Guri, ka ndërmarrë veprime për të penguar zbardhjen e së vërtetës, duke bashkëpunuar me Roland Gurin, Flori Çelën dhe djalin e tij për të manipuluar provat. Thika përdorur në vrasje nuk u sekuestrua në vendngjarje, por u mor dhe u larë nga Roland Guri.
Prokuroria ka bërë të ditur se çështja është dërguar për gjykim dhe pritet vendimi për të miturin dhe të afërmit e tij.