SPAK ka zgjeruar ndjeshëm hetimin ndaj Belinda Balluku, duke marrë autorizimin për të hapur dhe analizuar dhjetëra celularë dhe kompjuterë të sekuestruar gjatë kontrolleve të zhvilluara në dhjetor 2025 dhe janar 2026. Me vendimin e 19 marsit, gjyqtari Erjon Çela lejoi jo vetëm këqyrjen e pajisjeve, por edhe marrjen e çdo të dhëne që mund të shërbejë si provë apo indicie për vepra të tjera penale. Hetimi lidhet me dyshime për abuzime me tendera rrugorë me vlera shumë milionë euro, përfshirë projekte madhore si tuneli i Llogarasë dhe lotet e Unazës së Madhe të Tiranës.
Në sitën e hetimit janë përfshirë figura kyçe të institucioneve dhe biznesit, mes tyre ish-kreu i ARRSH-së Gentian Gjyli dhe ish-administratori i KESH-it Erald Elezi, si dhe biznesmenët Ilir Shtufi dhe Rrok Gjoka. Kompanitë e lidhura me këta të fundit rezultojnë përfituese të një sërë kontratash publike në infrastrukturë, ku dyshohet për paracaktim fituesish dhe ndikim të drejtpërdrejtë nga nivele të larta qeveritare. Sipas të dhënave hetimore, bëhet fjalë për tendera me vlera që shkojnë në dhjetëra milionë euro për segmente rrugore dhe projekte strategjike.
Nga zbërthimi i pajisjeve elektronike, SPAK synon të sigurojë komunikime, mesazhe dhe dokumente që provojnë koordinimin mes zyrtarëve dhe kompanive. Në veçanti, nga telefonët e ish-zyrtarit të ARRSH-së Ervis Berberi janë zbuluar mesazhe që sipas prokurorëve implikojnë drejtpërdrejt Ballukun në ndikimin për përcaktimin e kompanive fituese në projekte si tuneli i Llogarasë dhe kontrata të tjera të rëndësishme infrastrukturore. Këto prova pritet të krahasohen me dokumentacionin financiar dhe procedurat tenderuese për të ndërtuar një panoramë të plotë të skemës së dyshuar.
Vendimi i gjykatës vjen në një moment kyç, pasi një çështje paralele në Gjykatën Kushtetuese pritet të përcaktojë vlefshmërinë e të dhënave të marra nga pajisjet elektronike. Ndërkohë, hetimi pasuror ndaj Ballukut vijon dhe mund të shtrihet edhe tek persona të tjerë të përfshirë. Me këtë hap, SPAK synon të thellojë hetimin dhe të zbulojë rrjetin e plotë të ndikimit dhe përfitimeve në tenderat publikë që kapin vlera miliona euro.