Ish-ministrja dhe aktualisht deputete e PS, Elisa Spiropali ka bërë një reagim të fortë për ngjarjet që kanë ndodhur javët e fundit brenda Partisë Socialiste, duke lënë të nënkuptohet se debati në këtë forcë politike është shtypur nga pushteti dhe socialistët kanë frikë të flasin.
Ajo u referohet deklaratave në emisione dhe interpretimeve që vetëm shumëfishohen për marrëdhënien e saj me Edi Ramën. Në mbledhjen e fundit, u raportua nga burime pranë selisë rozë se Rama dhe Spiropali kishin pasur debat të ashpër, kurse Blendi Klosi tha se kjo ishte vetëm sajesë e portaleve.
“Këtu fillon edhe heshtja e debatit, jo si mungesë mendimesh, por si mungesë hapësire për t’i vënë në jetë. Sepse debati nuk zhduket, ai shtypet, dhe kur shtypet, nuk krijon qetësi, por grumbullim të padukshëm tensioni”, shkruan ajo ndër të tjera.
Mirëpo, ky reagim i sotëm i Elisa Spiropalit mbart shumë të vërteta, të ndërthurura mes nënkuptimeve, të cilat tregojnë se socialistët kanë ide ndryshe nga lidershipi socialist, por nuk flasin sepse u tremben pasojave.
“Në këtë klimë, frika nuk ka nevojë të shpallet për të ekzistuar, ajo ndihet, shpërndahet në mënyrë të heshtur dhe bëhet pjesë e një rendi të ri ku njerëzit mësohen të masin fjalët, jo për nga vërtetësia, por për nga pasojat”, thekson ish-shefja e diplomacisë shqiptare.
Lexoni reagimin e plotë të deputetes Elisa Spiropali, për ngjarjet në PS:
Ka ditë që në emisione dhe forume flasin për mua, me një siguri që shpesh nuk vjen nga njohja, por nga nevoja për ta mbushur boshllëkun me versione. Zërat shtohen, interpretimet shumëfishohen, ndërsa ajo që mungon është qetësia për të kuptuar se jo çdo gjë që ndodh kërkon një rrëfim të menjëhershëm publik.
Heshtja ime nuk është mungesë përgjigjeje, është një kufi i vendosur mes asaj që duhet thënë dhe asaj që duhet kuptuar, sepse në një kohë kur gjithçka kërkon të shpjegohet, rrezikojmë të humbasim kuptimin e vetë përgjegjësisë.
Ajo që po ndodh nuk është thjesht një çështje personale, por një shfaqje e një modeli që po zgjerohet me një normalitet të heshtur, ku arroganca dhe abuzimi nuk paraqiten më si devijime, por si forma të pranueshme shoqërore.
Ky model nuk imponon vetëm vendime, por ndërton një kulturë ku bindja konsiderohet virtyt dhe përshtatja shpërblehet më shumë se merita, duke e zhvendosur gradualisht politikën nga një hapësirë e konkurrencës së ideve në një strukturë të mbyllur ku rëndësi ka sa përshtatesh, jo sa vlen.
LEXO EDHE I FUNDIT, Meteorologia na ‘paralajmëron’ kur vjen pranvera
Në këtë rrjedhë, fitorja fillon të humbasë përmbajtjen e saj morale dhe reduktohet në rezultat, ndërsa besimi që e legjitimon atë dobësohet në mënyrë të padukshme. Dhe kur iluzioni zëvendëson reflektimin, atëherë edhe dinjiteti fillon të trajtohet si një element i negociueshëm, i varur nga momenti dhe nga pozicioni, jo si një vlerë që qëndron përtej pushtetit.
Këtu fillon edhe heshtja e debatit, jo si mungesë mendimesh, por si mungesë hapësire për t’i vënë në jetë. Sepse debati nuk zhduket, ai shtypet, dhe kur shtypet, nuk krijon qetësi, por grumbullim të padukshëm tensioni. Dhe pikërisht aty ku debati zëvendësohet nga dakordësia e heshtur, meritokracia fillon të përmendet si parim, por nuk funksionon më si praktikë, sepse ajo kërkon një drejtësi që nuk pranon kompromise me rehatinë e pushtetit.
Në këtë klimë, frika nuk ka nevojë të shpallet për të ekzistuar, ajo ndihet, shpërndahet në mënyrë të heshtur dhe bëhet pjesë e një rendi të ri ku njerëzit mësohen të masin fjalët, jo për nga vërtetësia, por për nga pasojat. Dhe kur kjo ndodh, liria humbet karakterin e saj si ushtrim i përditshëm dhe reduktohet në një dëshirë që përmendet më shumë sesa praktikohet. Kjo është ndoshta forma më e rafinuar e kufizimit, kur liria nuk ndalohet, por zbehet.
Ndërkohë, Europa mbetet referencë e përhershme në diskurs, një fjalë që përdoret për të legjitimuar çdo drejtim.
Europa nuk është një narrativë për t’u cituar, por një rend vlerash që kërkon përputhje, dhe çdo distancë mes fjalës dhe praktikës e bën këtë referencë të zbrazët. Në këtë pikë, politika përballet me një pyetje që nuk mund ta shmangë: a jemi duke ndërtuar një sistem që prodhon përgjegjësi apo një sistem që e justifikon dhe riprodhon veten?
Fitorja nuk merret, ajo provohet.
Meritohet kur njerëzit nuk të ndjekin nga frika, por të besojnë nga bindja, dhe kur largohesh, mbetet respekti, jo vetëm rezultati.
Prandaj, nuk kam folur për veten, sepse kjo nuk është një histori që fillon dhe mbaron me një individ. Është një pasqyrë e një kohe që kërkon më shumë reflektim se reagim. Dhe ndoshta, në një moment kur gjithçka kërkon zë, heshtja bëhet forma më e fortë e fjalës, sepse ajo nuk i nënshtrohet menjëhershmërisë, por i jep kohë të vërtetës të marrë formë.