Një ngjarje e rrezikshme tronditi qytetin e Vlorës mbrëmjen e kaluar, kur një 14-vjeçar u kap në flagrancë duke drejtuar automjetin në mënyrë të papërgjegjshme dhe duke mos iu bindur urdhrit të Policisë.
Për pasojë, dy punonjës policie u dëmtuan gjatë detyrës dhe u desh të marrin ndihmë mjekësore, ndërsa i mituri u arrestua pas një ndjekjeje dramatike në rrugët e qytetit., ne ju sjellim lajme falas çdo ditë. Nëse mendoni se e meritojmë, kIikσηi mbi një nga rekIaɱat më poshtë — është mënyra më e thjeshtë për të na ndihmuar falas.
NJOFTIMI:
Vlorë/ Arrestohet në flagrancë një 14-vjeçar që drejtonte automjetin në mënyrë të rrezikshme dhe nuk iu bind urdhrit të Policisë. Dëmtohen 2 punonjës Policie gjatë detyrës.
Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban në Komisariatin e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me oficerin e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së Vlorës, kryen veprimet procedurale për arrestimin në flagrancë të një shtetasi 14 vjeç.
Shërbimet e Patrullës së Përgjithshme, rreth mesnatës, në lagjen “24 Maji”, kanë konstatuar një automjet që drejtohej nga i mituri, i cili po kryente manovra të rrezikshme në rrugë. Shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë për ndalim, por drejtuesi nuk i është bindur urdhrit, ka rritur shpejtësinë dhe ka tentuar të godasë shërbimet e Policisë me automjet.
Pas disa minutash ndjekjeje, në vendin e quajtur “Kinoteatri”, shërbime të tjera Policie i kanë bërë sërish shenjë për ndalim, por ai ka vijuar lëvizjen dhe ka goditur automjetin e Policisë, duke shkaktuar dëmtimin e 2 punonjësve të Policisë në detyrë.
Në vijim të ndjekjes, drejtuesi ka braktisur automjetin dhe ka tentuar të largohet me vrap, por është kapur dhe vënë në pranga nga shërbimet e Policisë.
Dy punonjësit e Policisë të dëmtuar morën ndihmë mjekësore në spitalin e Vlorës dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Veprimet procedurale u kryen në prani të psikologut, mbrojtësit ligjor dhe nënës së të miturit, në përputhje me legjislacionin në fuqi për trajtimin e të miturve.
Automjeti që drejtonte 14-vjeçari u bllokua, ndërsa pronares së automjetit (nënës së tij) iu pezullua leja e drejtimit dhe iu vendos masë administrative, sipas parashikimeve të Kodit Rrugor.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale:
“Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”,
“Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”,
“Shkatërrimi i pronës”.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë prindërit që të ushtrojnë kontroll dhe përgjegjësi të vazhdueshme prindërore, duke mos lejuar në asnjë rast drejtimin e automjeteve nga të miturit, pasi këto veprime rrezikojnë seriozisht jetën dhe shëndetin e tyre, të përdoruesve të tjerë të rrugës, si dhe të vetë punonjësve të Policisë.