Detaje të reja janë zbardhur nga aksidenti i rëndë rrugor i ndodhur në orët e para të mëngjesit në zonën e Novoselës, ku humbi jetën një i ri.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 03:00, në mbikalimin e Novoselës, në aksin rrugor drejt fshatit Akërni. Sipas të dhënave paraprake, viktima është 24-vjeçari Albi Hoxha, banues në Fier.
I riu drejtonte një automjet me targa AB009GN, kur dyshohet se ka humbur kontrollin dhe është përplasur me barrierat anësore të rrugës. Si pasojë e përplasjes së fortë, trupi i tij është gjetur rreth 30 metra larg nga pika e goditjes.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se, bazuar në këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe analizimin e dinamikës së aksidentit, automjeti dyshohet të ketë qenë duke lëvizur me shpejtësi tepër të lartë, që mund të ketë kaluar mbi 200 km/h.
Grupi hetimor po vijon punën për të zbardhur plotësisht shkaqet dhe rrethanat e aksidentit fatal.