Kryeministri Edi Rama ka prezantuar ndryshimet në Skemën Kombëtare për Bujqësinë dhe Blegtorinë për vitin 2026, duke theksuar se mbështetja për fermerët do të orientohet drejt një sistemi më të drejtë dhe efikas.
Gjatë një takimi me fermerët, ai u shpreh se skema e mëparshme e subvencionimit të naftës ka pasur problematika në zbatim, pasi jo të gjithë përfituesit ishin realisht përdorues të saj për aktivitet bujqësor.
Sipas tij, një nga shqetësimet kryesore ka qenë fakti që përfituesit shpesh nuk ishin ata që punonin tokën, por pronarë që e jepnin atë me qira.
“Jo të gjithë përfituesit e meritonin këtë mbështetje. Kjo është një skemë që nuk e ka as Bashkimi Evropian,” theksoi Rama.
Kryeministri bëri të ditur se modeli i ri i mbështetjes do të bazohet te prodhimi dhe shitja reale e produkteve bujqësore. Sipas tij, fermerët që deklarojnë shitjet përmes faturave do të përfitojnë rimbursim financiar.
Ai shpjegoi se, në bazë të skemës së re, fermerët mund të përfitojnë deri në 10% të vlerës së faturës së shitjes, duke rritur ndjeshëm mbështetjen krahasuar me skemën aktuale.
Sipas Ramës, kjo qasje synon të formalizojë sektorin dhe të sigurojë që fondet publike të shkojnë tek ata që prodhojnë realisht.
Qeveria thekson se reformat janë në përputhje me standardet e Bashkimi Evropian dhe synojnë afrimin gradual të bujqësisë shqiptare me politikat evropiane.