Pavarësisht se Donald Trump prej ditësh bën presion të madh ndaj Iranit, ku sot madje tha se nëse nuk hapin Ngushticën e Hormuzit, qytetërimi iranian do të vdesë, Reuters raporton se në Teheran ky presion nuk po funksionon.
Irani nuk do ta rihapë Ngushticën e Hormuzit në këmbim të “premtimeve boshe”, tha një burim i lartë iranian.
Reuters raportoi se burimi u shpreh se fleksibiliteti do të tregohet nga Irani “kur të shohim fleksibilitet nga pala amerikane”.
Ata shtojnë se Pakistani, i cili është përpjekur të ndërmjetësojë një marrëveshje paqeje, vazhdon t’i përcjellë mesazhe SHBA-së, por Uashingtoni “nuk e ka ndryshuar tonin e tij”.
“Nëse SHBA kalon vijat e kuqe, përgjigja e Iranit do të shtrihet përtej rajonit”
Në një deklaratë të re, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) tha se ka treguar ‘përmbajtje të konsiderueshme’ dhe ‘kujdes në zgjedhjen e objektivave për hakmarrje’ kundër SHBA-ve dhe partnerëve rajonalë.
“Nga ky moment e tutje, të gjitha këto konsiderata do të lihen mënjanë”, thuhet në deklaratën e shpërndarë nga mediat shtetërore.
IRGC gjithashtu paralajmëroi se nëse ushtria amerikane “kalon vijat e kuqe, përgjigja jonë do të shtrihet përtej rajonit”, duke shtuar se do të synojë infrastrukturën e SHBA-ve dhe të partnerëve të saj dhe do të ndërpresë furnizimet rajonale me naftë dhe gaz për vite me radhë.
Katari jep alarmin: Situata po del jashtë kontrollit
Pak orë para skadimit të ultimatumit të Donald Trump ndaj Iranit dhe ndërsa tashmë janë në zhvillim sulme ndaj urave dhe autostradave në Republikën Islamike, Katari paralajmëron se situata ‘është pranë’ një pike ku nuk mund të kontrollohet më.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Dohas, Majed al?Ansari, tha: ‘Që nga viti 2023 kemi paralajmëruar se një përshkallëzim i lënë pa kontroll do të na çojë në një situatë të pakontrollueshme dhe tani jemi shumë afër asaj pike. Prandaj kemi bërë thirrje që të gjitha palët të gjejnë një zgjidhje, të gjejnë një mënyrë për t’i dhënë fund kësaj lufte para se të jetë tepër vonë’”.