Policia jep detaje për aksidentin në Korçë: Mjeti përplasi nënën dhe të miturin 3 vjeç

Një aksident rrugor është regjistruar rreth orës 16:30 në aksin Korçë–Ersekë, në afërsi të fshatit Kamenicë.

Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip “Nissan”, i drejtuar nga shtetasi Sh. V., 76 vjeç, ka përplasur dy këmbësorë, nënë e bir.

Të lënduar kanë mbetur shtetasja Sh. M., rreth 44 vjeçe, dhe djali i saj i mitur, rreth 3 vjeç.

Si pasojë e plagëve të marra, i mituri ka ndërruar jetë në spital, ndërsa nëna e tij po merr ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat nga specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor për kryerjen e veprimeve procedurale.

Ndërkohë, grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.