Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ka bërë thirrje publike për largimin e kryeministrit Edi Rama nga drejtimi i vendit, duke argumentuar se ai nuk mund të sjellë më zhvillime pozitive për Shqipërinë.
Malaj komentoi protestat e fundit ku është kërkuar dorëheqja e kreut të qeverisë. Sipas tij, vendimi për të qëndruar ose jo në detyrë i takon vetë kryeministrit, por çdo përpjekje për të vijuar në pushtet po e afron qeverisjen me forma gjithnjë e më autoritare.
“Largohet apo jo Rama, këtë e përcakton ai vetë. Por çdo këmbëngulje e tij, për mua, është një vetëkalim në veprime që afrohen jo thjesht me autokracinë, por me një qëndrim neodiktatorial”, deklaroi Malaj.
Ish-ministri shtoi se historia ka treguar se regjimet diktatoriale nuk kanë pasur fund të mirë dhe vlerësoi se Shqipëria ka nevojë për një klimë më të qetë politike dhe sociale.
“Është koha të largohet. Ai nuk bën dot më asgjë të mirë për Shqipërinë. Kjo klimë përçarjeje sociale, tensionet mes shqiptarëve, mes palëve politike dhe grupeve të ndryshme nuk i shërbejnë vendit”, u shpreh Malaj në A2 CNN.
Deklaratat e tij vijnë në një moment debatesh politike dhe protestash, ku opozita dhe grupe të ndryshme qytetare kanë ngritur kritika ndaj qeverisë dhe kanë kërkuar ndryshime në drejtimin e vendit, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE