Në kulmin e protestave masive qytetare që kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama, një tjetër goditje politike duket se vjen nga vetë radhët e Partisë Socialiste. Ndërsa mijëra qytetarë kanë mbushur sheshet duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë, zëra të njohur socialistë po distancohen gjithnjë e më shumë nga drejtimi aktual i partisë.
Deputetja e Shkodrës, Mariana Koçeku, njoftoi publikisht se do të vazhdojë mandatin e saj si deputete e pavarur, duke u larguar nga Grupi Parlamentar i PS-së. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Koçeku deklaroi se vlerat dhe bindjet që e kanë shoqëruar që nga koha e protestës studentore nuk përputhen më me kursin politik të Partisë Socialiste.