Shqiptarët kërkojnë largimin e tij, Rama: Do jap dorëheqjen kur Shqipëria të futet në BE!

Teksa presioni ndaj tij sa vjen e shtohet dhe thirrjet për dorëheqje bëhen gjithnjë e më të forta, kryeministri Edi Rama ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të largohet nga pushteti në këtë moment. Në një intervistë për median italiane “Vanity Fair”, kreu i qeverisë e lidhi fundin e karrierës së tij politike me një moment historik: anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Mbledhja e parë e Shqipërisë si shtet anëtar i BE-së do të ishte rasti më i bukur për të dhënë dorëheqjen”, deklaroi Rama, duke lënë të kuptohet se largimi i tij do të vijë vetëm pasi të realizohet objektivi i integrimit europian.

Megjithatë, ai shtoi se do të vazhdojë të qëndrojë në krye të qeverisë për aq kohë sa do të ndiejë “zjarrin e pasionit” për të qeverisur vendin.

Në intervistën për “Vanity Fair”, Rama foli edhe për presionin politik dhe personal që shoqëron drejtimin e vendit, duke përdorur metaforën e një afresku që afrohet deri sa “muret ngushtohen dhe të bëjnë të ndihesh si në një qeli”.

Nga ana tjetër, artikulli i medias italiane përshkruan një kryeministër të rrethuar nga disa fronte: hetimet e drejtësisë që kanë prekur njerëz pranë qeverisë së tij, akuzat e opozitës, si dhe lëvizjen protestuese që prej javësh po kërkon ndalimin e projekteve të mëdha turistike dhe largimin e tij nga pushteti.

Ndërsa protestat vijojnë dhe zemërimi qytetar mbetet i lartë, Rama shprehet se , fundi i epokës së tij politike do të vijë vetëm ditën kur Shqipëria të ulet për herë të parë si anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Europian.