Vr(a)sja e çiftit Mujeci, si u gjurmua dhe u kap i dyshuari që ndihmoi autorin e krimit

Një zhvillim i ri është shënuar në hetimet për vrasjen e çiftit Kreshnik dhe Gentiana Mujeci në Balldren të Lezhës, ngjarje që tronditi opinionin publik më 26 prill 2026.

Policia e Shtetit njoftoi se, falë shkëmbimit të informacionit me autoritetet malazeze, është lokalizuar dhe arrestuar në Ulqin një person i dyshuar se ka ndihmuar autorin e krimit pas ngjarjes.

Sipas policisë, i arrestuari është shtetasi B. K., 40 vjeç, banues në fshatin Torovicë. Ai akuzohet për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në bashkëpunim.

Autoritetet shqiptare kishin siguruar informacion për vendndodhjen e tij dhe ia kishin përcjellë policisë malazeze, e cila bëri të mundur lokalizimin dhe kapjen e tij në qytetin e Ulqinit.

Menjëherë pas arrestimit, 40-vjeçari u deportua drejt Shqipërisë përmes Pikës së Kalimit Kufitar Muriqan, ku iu dorëzua Policisë Kufitare shqiptare. Më pas ai u shoqërua nga efektivët e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë për vijimin e procedurave hetimore.

Hetimet për zbardhjen e plotë të vrasjes së çiftit Mujeci vijojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për dokumentimin e rolit të secilit person të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë.