Një qytetare që punon si sekretare në një gjimnaz publik në Tiranë ka denoncuar për JOQ situatën e pagave të personelit ndihmës në institucionet arsimore, duke pretenduar se rritja e paralajmëruar e pagës minimale në 500 euro nuk është reflektuar në pagesat që marrin.
Sipas saj, edhe pse prej muajsh është deklaruar publikisht se nga 1 janari 2026 paga minimale në Shqipëri do të jetë 500 euro dhe se për kategorinë e personelit ndihmës do të kishte rritje rreth 10 mijë lekë, në realitet kjo nuk ka ndodhur.
Qytetarja shprehet se për muajt janar dhe shkurt ajo dhe koleget e saj kanë marrë të njëjtën pagë si më parë, rreth 47 mijë lekë, që sipas saj mbetet nën nivelin e pagës minimale të paralajmëruar.
Ajo tregon gjithashtu se, përveç orarit të zakonshëm 8-orësh, shpesh detyrohen të punojnë edhe jashtë orarit gjatë periudhave të regjistrimeve në shkolla, për proceset e Maturës Shtetërore apo për sistemet administrative si SMIP, pa pagesë shtesë.
Një tjetër shqetësim që ngre qytetarja lidhet me faktin se, sipas saj, niveli i arsimimit nuk merret parasysh në pagesë. Ajo shprehet se, pavarësisht se ka përfunduar studimet Bachelor dhe Master me rezultate shumë të mira, paguhet njësoj si punonjës të tjerë që nuk kanë arsim të lartë.
Denoncimi:
Pershendetje JOQ. Une jam Sekretare ne nje gjimnaz publik ne Tirane ne varesi Drejtorise se Objekteve Publike dhe njekohesisht te Bashkise Tirane. Ankesa ime bazohet ne deklaratat e Zotit Kryeminister i cili ka 2 muaj qe ngeli ne televizor 24/24 duke thene se nga data 1 Janar 2026 paga minimale ne Shqiperi do te jete 500 euro dhe rritja e rroges me kategori ku perfshiheshim dhe ne te ashtequajtur ( personel ndihmes) gjasme do te ishte 10000, nderkohe qe nuk eshte aspak e vertete. Tallen me ne tallen me kete popull pa piken e turpit, kemi dy muaj qe presim rritjen e “famshme”.Nga muaji Janar dhe deri tani ne nuk kemi marre asnje lek shtese dhe paga jone vazhdon te jete skandaloze, madje nen minimalen(47000) kaq kemi marre per muajin Janar dhe Shkurt.Eshte e turpshme dhe fatkeqesisht e padrejte qe punojme me 8 orarshe, punojme jashte orarit ne periudhen e rregjistrimeve,per Maturen Shteterore, per SMIP-in , te cilat nuk na paguhen,por na detyrojne te bejme dhe pune te cilat nuk na takojne. Une si sekretare paguhem njelloj me sanitaret dhe me rojet pavaresisht se kam mbaruar Bachelorin dhe Masterin me mesatare shume te larte, qeveria jone nuk na i njeh diplomat e Universitetit por na paguan te gjitheve njelloj, si ne qe kemi shkolle te larte si ata qe kane vetem gjimnazin. Do ju lutesha shume ta benit publik kete lajm pasi jeni i vetmi ze ku mund te qajme hallin. Ky nuk eshte vetem halli im po i te gjithave kolegeve te mia qe ndodhen ne te njejtin pozicion pune prej vitesh. Do ju lutesha gjithashtu te mbetem anonim pasi te heqin nga puna keta te lene kalamanjte pa buke! Gjithe te mirat dhe pune te mbare!