Alket Hyseni, xhambazi i task-forcës së Bablokut që grabiti 15 mijë metra katrorë në Dhërmi, figuron në dosjen penale 266/2016 për 342 hektarët e bregdetit dhe prej vitesh fshihet nga drejtësia pas largimit të heshtur nga politika.
Alket Hyseni u tërhoq nga politika disa vite më parë. Pa bujë, pa zhurmë, pa lënë gjurmë. Pikërisht kur era e hekurave të SPAK-ut filloi të ndihej dhe dosjet e tij nisën të mblidhnin pluhër në sirtarët e prokurorisë pa marrë përgjigje. Sepse largimi i tij nuk ka qenë pension i merituar, por fshehje e organizuar, për të ruajtur atë që grumbulloi gjatë viteve kur drejtoi task-forcën shtetërore për verifikimin e ligjshmërisë së pronave bregdetare.
Historia e Alket Hysenit nis në mars të vitit 2000, kur ishte përgjegjës turni në doganën e Kakavijës, me një pasuri të deklaruar prej 1.2 milionë lekësh të vjetra. Por dikush në pushtet pa tek ai atë që duhej: një njeri pa shumë pretendime, por me ambicie të heshtur. Rasti i erdhi kur Edi Rama e mori nga dogana, i hapi dyert e studimit ligjor dhe më pas, në korrik të vitit 2014, i besoi task-forcën shtetërore për verifikimin e ligjshmërisë së tjetërsimit të pronave bregdetare.
Deklarata zyrtare e asaj kohe ishte se task-forca do t’i vihej fre shkatërrimit të bregdetit, do të bllokonte grabitjet e tokave dhe do të sillte drejtësi aty ku shteti kishte dështuar. Por ajo që ndodhi në realitet ishte e kundërta. Task-forca u shndërrua në instrument pazarí dhe kryetari i saj doli pronar. Nga ajo periudhë e tutje, Alket Hyseni nuk u ndal dhe kaloi në Drejtorinë e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave në Ministrinë e Financave dhe më pas, në zgjedhjet e 25 qershorit 2017, Edi Rama e futi në listën socialiste të Vlorës dhe e bëri deputet. Çdo emërim i ri erdhi pasi i mëparshmi kishte shërbyer për grumbullimin e pronës. Dhe pasuria, në 14 vite, ishte rritur 136.8 herë: nga 1.2 milionë lekë në 174 milionë lekë asete të deklaruara, pa llogaritur këtu vlerën reale të pronave që kontrollon nëpërmjet të tjerëve.
Për të kuptuar se si Alket Hyseni u bë pronar i 15 mijë metrave katrorë në bregdet, duhet ndjekur rruga e dokumenteve. Në vitin 2015, nisi një zinxhir transaksionesh ku toka bujqësore në Dhërmi filloi të ndërronte duar me shpejtësi, duke kaluar nga një pronar te tjetri, derisa përfundoi tek Hyseni pikërisht në kohën kur ai drejtonte task-forcën që duhej të ndalonte këto lloj grabitjesh.
Në janar të vitit 2017, Ilia Taka, një nga personat që kishte marrë në dorë këto toka më parë, ia kaloi parcelat Alket Hysenit dhe mori në këmbim dy apartamente dhe tre garazhe në Sarandë, me vlerë totale 15.7 milionë lekë. Hyseni e dinte atëherë se Taka ishte nën procedim penal në Prokurorinë e Vlorës për falsifikim dokumentash. Por kjo nuk e ndali. Disa muaj më pas, në gusht të 2017-ës, Hyseni ia shiti të njëjtën tokë studios ligjore të babait të tij, Namik Hysenit, me 30 milionë lekë. Tani firma e familjes Hyseni ka nënshkruar kontratë me ndërtuesit e resortit Ionian Olea dhe përfiton minimalisht 1,100 metra katrorë sipërfaqe ndërtimi në atë resort, me vlerë tregu mbi 1.1 milionë euro. Pra, toka që dikur ishte bujqësore, tani vlen miliona euro dhe Alket Hyseni, përmes firmës së babait, është bërë pjesë e këtij resorti luksoz.
Dhërmiu është vetëm njëra nga llogaritë e hapura të Alket Hysenit. Emri i tij figuron në Dosjen Penale nr. 266/2016 të Prokurorisë së Vlorës, e cila dokumenton grabitjen e 342 hektarëve tokë në Karaburun, Palasë, Zvërnec, Shën Vasil, Himarë dhe Dhërmi. Kjo dosje zbulon ekzistencën e super-bandës Pëllumb-Artur, me Pëllumb Petritaj dhe Artur Shehu në krye, që vepronin me mandat nga Fatmir Mediu. Kjo dosje zbuloi se si një bandë e organizuar, me njerëz që kishin lidhje në politikë, kishte vënë në dorë qindra hektarë tokë duke falsifikuar dokumente dhe duke shfrytëzuar boshllëqet ligjore. Në listën e përfituesve të kësaj grabitjeje madhe figuronin emra të njohur të politikës shqiptare.
Irini Bua, një banore e Dhërmiut që pretendon se tokat e familjes së saj përfunduan në duart e spekulantëve, e ka denoncuar Hysenin që nga viti 2015. Ajo ka kallëzuar prokurorinë, ka kallëzuar task-forcën që drejtonte Hyseni, i ka shkruar vetë Edi Ramës. Argumenti i saj ishte i qartë: Këshilli Kombëtar i Territorit i dha leje ndërtimi resortit Ionian Olea në qershor të vitit 2016, kur toka ishte ende nën masa sigurie dhe në proces gjyqësor. Por askush nuk e dëgjoi. Ashtu siç nuk u dëgjua as një pronar tjetër në Golem, i cili denoncoi se Hyseni, duke shfrytëzuar pozicionin në task-forcë, i mori vilën pa e paguar dhe i uzurpoi edhe oborrin. Të gjitha këto raste janë të dokumentuara në media por drejtësia mesa duket ende nuk është bindur.
Alket Hyseni ndërkohë ruan heshtjen dhe ruan pasurinë. Ai u tërhoq nga politika në kohën e duhur, kur shenjat e para të drejtësisë filluan të shfaqeshin. Por dosja e tij vazhdon të jetë e hapur. Emri i tij vazhdon të jetë në listën e grabitësve të 342 hektarëve të bregdetit shqiptar.
Dhe pyetja që SPAK-u nuk ka bërë ende është e vetmja që ka rëndësi: si u bë doganieri i Kakavijës pronar i 15,000 metrave katrorë në Dhërmi, në kohën kur pikërisht ai mbante në dorë çelësin e mbrojtjes së bregdetit?/Pamfleti