Situata në kufirin mes Izraelit dhe Libanit vijon të përshkallëzohet, ndërsa ushtria izraelite ka lëshuar një paralajmërim urgjent për banorët në jug të Libanit, në kushtet e vazhdimit të sulmeve ajrore.
Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), Avichay Adraee, deklaroi se prania dhe aktiviteti i Hezbollahut në zonë po detyron ushtrinë izraelite të ndërmarrë veprime ushtarake, duke theksuar se synimi nuk janë civilët.
“Ne e përsërisim dhe ju bëjmë thirrje të largoheni menjëherë nga shtëpitë tuaja dhe të drejtoheni menjëherë në veri të lumit Zahrani. Kushdo që ndodhet pranë elementëve të Hezbollahut, objekteve të tyre ose mjeteve të tyre luftarake, e ekspozon jetën e tij ndaj rrezikut”, shkroi ai.
Nga ana tjetër, grupi Hezbollah, i mbështetur nga Irani, ka bërë të ditur se ka ndërmarrë sulme me raketa drejt veriut të Izraelit gjatë mëngjesit.
Në një deklaratë të publikuar në Telegram, grupi njoftoi se ka shënjestruar disa zona, përfshirë Kiryat Shmona, Kfar Giladi, Misgav Am dhe Margaliot, pranë kufirit me Libanin.