Tregtarët e perimeve dhe ata të plehrave kimike po abuzojnë masivisht me çmimet e produkteve, nën pretekstin se po ndikon lufta.
Deputeti i PS-së Erion Braçe me listën e çmimeve të importit, denoncon me shifra nga foltorja e Kuvendit se vetëm ‘domatet’ u shitën në treg, 6-herë më shtrenjtë sesa ishte çmimi me të cilin ishin importuar. Braçe e quan këtë një abuzim skandaloz në një treg që sipas tij nuk qarkullon faturë fiskale.
Domatja produkti i konsideruar ‘luks’ për shkak se çmimi i saj kapërceu 400 lekë për kilogramë në muajin mars apo deri 750 lekë një kilogramë domatini, janë importuar me çmim 6-herë më lirë jashtë vendit.
“Janë diku te 2500 ton në harkun janar-mars, por çmimet që janë importuar dhe zhdoganuar të habisin. Numrat janë 5-6 herë më të lira sesa qytetarët kanë blerë në treg produktin domate”, thotë Braçe.
Duke renditur listën me cmimet e importit për kilogramë në tremujorin e parë të vitit, Brace e quan një abuzim skandaloz në një treg që sipas tij nuk qarkullon faturë fiskale.
Një kilogramë domate gjatë tremujorit të parë të vitit janë importuar me 56 lekë nga Greqia, 59 lekë nga Italia, 64 lekë nga Turqia dhe 274 lekë nga Serbia. Ndërsa çmimi më i lartë me të cilin janë importuar domatinit ka qenë 311 lekë/kg.
Edhe më i madh është abuzimi me çmimin e plehrave kimike thotë deputeti i PS-së Erion Braçe nga foltorja e Kuvendit.
“Me plehrat kimik po ndodh një abuzim shumë i madh, çmimet me të cilat janë importuar 40% më të lira sesa çmimi që u vërejt në treg”, tha Braçe.