Finalja e mbrëmjes së djeshme shpalli fitues Selim Bollatin, por pas perdes së spektaklit, reagimet nuk kanë qenë të gjitha aq pozitive. Rogerti, i cili e la garën i pari nga katër finalistët, duket se ishte mjaft i zhgënjyer nga rezultati.
Pas eliminimit ai u pa mjaft i tensionuar dhe u largua nga studioja thuajse menjëherë, ndërkohë që e njëjta gjendje ngarkese u vu re edhe tek njerëzit e tij të afërt që po e mbështesnin, raporton Prive By Liberta Spahiu.
Situata mori një tjetër rrjedhë kur Rogerti nuk u paraqit fare në festën e përbashkët të organizuar për stafin dhe banorët pas përfundimit të programit. Në vend të kësaj, ish-finalisti u shfaq në rrjetet sociale krah reperit Don Phenom, ku ky i fundit nuk ngurroi ta cilësonte mjaft entuziast si “fituesin e vërtetë”. Megjithatë, ajo që tërhoqi vëmendjen ishte deklarata e vetë Rogertit gjatë videos.
Përmes një mesazhi drejtuar atyre që e kanë suportuar përgjatë rrugëtimit, ai u kërkoi të mos e vrisnin mendjen për eliminimin, duke theksuar një detaj të rëndësishëm: “Këto lojëra janë bërë për politikën vëlla, nuk janë bërë për njerëzit e vërtetë”.
Ndryshe, Rogerti ishte ndër personazhet më antagonist jo vetëm të këtij sezoni por të gjithë Big Brother-ave. /Prive By Liberta Spahiu