Skip to content

Hodhi heIm minjsh në kavanozat me ushqim fëmijësh që shiteshin në markete, arrestohet 39-vjeçari!

Autoritetet në Austri kanë arrestuar një 39-vjeçar të dyshuar për përfshirje në një rast të rëndë të kontaminimit të ushqimeve për foshnje, si dhe për tentativë shantazhi ndaj kompanisë gjermane HiPP.

Sipas prokurorisë në Eisenstadt, i dyshuari akuzohet se ka hedhur helm për minj në disa kavanoza me ushqime për bebe, të cilat më pas janë shpërndarë në tregjet e Austris, Çekis dhe Sllovakis.

Nga hetimet paraprake rezulton se janë identifikuar pesë kavanoza të dyshuara, ndërsa në njërin prej tyre — me përmbajtje karrota dhe patate — janë konstatuar gjurmë të substancave helmuese. Autoritetet po verifikojnë edhe mundësinë e ekzistencës së produkteve të tjera të kontaminuara.

Rasti konsiderohet me rrezik të lartë për shëndetin publik, veçanërisht për foshnjat, ndërsa policia vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet.

Kompania HiPP ka deklaruar se bëhet fjalë për një ndërhyrje të jashtme kriminale dhe jo për problem në procesin e prodhimit. Sipas saj, gjithçka ka nisur pas një emaili kërcënues të dërguar në një adresë zyrtare të kompanisë. Menjëherë pas marrjes së mesazhit, rasti është raportuar tek autoritetet dhe është ngritur një strukturë e posaçme për menaxhimin e situatës.

Deri më tani, autoritetet nuk kanë bërë publike kërkesat e autorit të dyshuar të shantazhit, ndërsa hetimet vijojnë.

Published inTë Fundit