Një incident i pazakontë ajror është regjistruar në Newark Liberty International Airport, ku një avion pasagjerësh i kompanisë United Airlines është përplasur me një shtyllë ndriçimi dhe më pas me një kamion gjatë manovrës së uljes.
Ngjarja ndodhi më 6 maj 2026, rreth orës 14:00 sipas orës lokale, kur fluturimi 169 po i afrohej pistës në kushte të vështira atmosferike, me erëra të forta dhe në një lartësi jashtëzakonisht të ulët. Në bord ndodheshin 231 pasagjerë.
Sipas informacioneve paraprake, avioni, një Boeing 767-400, goditi fillimisht një shtyllë ndriçimi pranë autostradës që kalon afër aeroportit, ndërsa më pas u përplas edhe me një kamion në lëvizje. Si pasojë e impaktit, janë shkaktuar dëme të konsiderueshme në trupin e avionit, përfshirë një çarje në anën e tij.
Pavarësisht situatës së rrezikshme, asnjë nga pasagjerët apo anëtarët e ekuipazhit nuk ka pësuar lëndime. Ndërkohë, drejtuesi i kamionit është transportuar në spital me dëmtime të lehta.
Autoritetet amerikane kanë konfirmuar nisjen e një hetimi për të zbardhur rrethanat e plota të incidentit. Sipas Federal Aviation Administration (FAA), dyshohet se kushtet e motit mund të kenë ndikuar në trajektoren e uljes, megjithatë nuk përjashtohen faktorë të tjerë si gabime njerëzore apo probleme teknike.
Gjithashtu, Port Authority of New York and New Jersey bëri të ditur se gjatë incidentit është përfshirë edhe një automjet tjetër në autostradë, një xhip në lëvizje, duke rritur rrezikshmërinë e situatës.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar shkaqet e sakta të këtij incidenti të rrallë në aviacion.
