Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) ka ndërmarrë një goditje të rëndë financiare në kuadër të mega-operacionit të fundit, duke sekuestruar një shumë rekord prej rreth 138 milionë eurosh nga llogaritë bankare të kompanisë “Albanian Land Development”.
Subjekti ndërtimor dhe i investimeve është në pronësi të biznesmenit të njohur Redi Struga. Ky vendim ekstrem sekuestrimi vjen si pjesë e fashikullit hetimor të ndërmarrë ndaj një rrjeti të strukturuar kriminal, i cili akuzohet për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrim të parave në përmasa të mëdha.
Nga të dhënat e para të dosjes hetimore, ku deri më tani janë lëshuar 20 masa sigurie, emri i kompanisë së Strugës lidhet ngushtë me transaksionet e kryera me biznesmenin tjetër të shpallur në kërkim, Artur Shehu. Hetuesit e SPAK-ut kanë dyshime të bazuara se Shehu i ka shitur pasuri të paluajtshme dhe sipërfaqe tokash kompanisë “Albanian Land Development” me qëllim futjen në sistemin ligjor të parave me burim të paligjshëm.
Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimeve (BKH) së bashku me ekspertët financiarë janë duke kaluar në sitë të gjitha transaksionet bankare, lëvizjet e kapitalit dhe kontratat e sipërmarrjes të nënshkruara mes palëve. Ky proces synon të dokumentojë të plotë origjinën e fondeve të sekuestruara dhe të zbardhë skemën e plotë të infiltrimit të parave të krimit në sektorin e pasurive të paluajtshme në Shqipëri.
