Shtetasi Kujtim Aliu, pasi ka zbritur nga autobusi, ka tentuar të kalojë autostradën në aksin Rrëshen–Reps kur është goditur nga mjeti.
Një aksident me pasojë vdekjen e një personi ka ndodhur mëngjesin e kësaj të hëne në aksin rrugor Rrëshen–Reps, pjesë e Rrugës së Kombit. Viktima është identifikuar si shtetasi Kujtim Aliu, rreth 46 vjeç, me shtetësi nga Kosova.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:45, në afërsi të fshatit Gëziq. Sipas të dhënave të para, 46-vjeçari sapo kishte zbritur nga një autobus dhe ka tentuar të kalojë nga njëra anë e autostradës në tjetrën. Gjatë këtij momenti, ai është përplasur fort nga një automjet që drejtohej nga shtetasja kosovare me iniciale N. R.
Për shkak të plagëve të rënda të marra nga goditja, Aliu ka humbur jetën gjatë kohës që po transportohej me urgjencë drejt spitalit nga ambulanca.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë rrugore dhe grupi hetimor. Drejtuesja e automjetit, shtetasja N. R., është shoqëruar në ambientet e Komisariatit për kryerjen e veprimeve të nevojshme procedurale. Ekspertët autoteknikë dhe hetuesit po punojnë për të zbardhur rrethanat e plota të dinamikës së këtij aksidenti tragjik.