Socialistët e Shkodrës / Përplasja e Neomalësores me Ramën pas komentit të Koçekut: Si Gen Z, më pëlqen …

Megjithëse ende jo zyrtarisht, Marjana Koçeku nuk ka dorëzuar kërkesën për largim nga grupi parlamentar i PS-së, ajo sfidoi Edi Ramën duke i kërkuar zgjedhje të parakohshme dhe e paralajmëroi se nuk ka ndërmend të lërë mandatin e marrë nën siglën e PS-së.

Marjana Koçeku mungoi edhe këtë të martë në Komisionin Parlamentar për Europën dhe Punët e Jashtme.

Siç shihet nga këto pamje, deputetja Koçeku e ka lënë bosh karrigen ku ajo supozohej të ulej si anëtare e këtij komisioni përkrah kolegëve Romina Kuko dhe Ervin Hoxha. Burime nga grupi parlamentar socialist, të kontaktuara nga Top Channel, pohuan se ende nuk kanë një kërkesë me shkrim për t’u larguar nga grupi, siç ajo deklaroi të dielën përmes një statusi në Facebook.

Po ashtu, ende nuk është bërë i mundur kontaktimi i saj përmes telefonit, fakt që u deklarua një ditë më parë nga nënkryetari i grupit, Erion Malaj. Të hënën, Marjana Koçeku publikoi fillimisht një simbol me flamingo e më pas një koment ku ajo shfaqet në ambientet e një kishe, shoqëruar me këtë mesazh:

“Zot, më jep forcë, besim të drejtë e shpresë të sigurt. Mos na e kurse si popull frymën e urtisë dhe të kuptimësisë, që kurrë të mos largohemi drejt rrugëve t’humbura.”

Postimi i saj edhe në llogarinë në Instagram me emrin “Neomalësore” është ripostuar nga kryetari i PD-së, Sali Berisha, me mbishkrimin “Flet vetë”.

Por përse ky largim i Marjana Koçekut nga PS-ja?

Për gazetarin e Top Channel, Muhamed Veliu, disa burime të pavarura nga njëri-tjetri, nga socialistët e Shkodrës, e lidhin këtë veprim të Marjana Koçekut me datën 8 qershor, kur kryetari i PS-së, Edi Rama, ishte në Shkodër për turin e 35-vjetorit të PS-së, i veshur me një bluzë ku ishte stampuar një flamingo, veprim që u komentua nga deputetja Koçeku.

“I nderum kryeministër, mirë se erdhe në Shkodër si Gen Z, më pëlqen shumë bluza që ke veshur sot…”

Ky koment, pohojnë të njëjtat burime, ishte në qendër të debatit që Rama zhvilloi në një takim informal pas eventit me deputeten Marjana Koçeku.

Me sa duket, ajo çfarë Rama i ka thënë deputetes 26-vjeçare nuk është mirëpritur prej saj dhe, si pasojë, mund të jetë shkaku i supozuar për deklaratën e mëpasshme dhe më pas fikjen e telefonit.

Neomalësorja së fundmi ka marrë një ftesë nga koordinatorët e protestës “Flamingo”, të cilët gjithnjë e më shumë po nxiten të krijojnë një alternativë të re politike. Nëse Marjana Koçeku bëhet deputetja e parë që do të përfaqësojë “Flamingot” në Parlamentin aktual, kjo mbetet për t’u parë.

Por burime nga socialistët e Shkodrës ngrenë dyshime se edhe zyrtarët e futur në administratë me ndikimin e saj të drejtpërdrejtë janë përfshirë nga ndjenja e saj rozë revolucionare përmes postimeve mbështetëse në rrjetet sociale.

Në kushtet e anonimatit, kolegë socialistë të Marjana Koçekut pohuan për Top Channel se ky zhvillim, i kalimit të saj si deputete e pavarur, ishte i pritshëm nëse do t’u referoheshim disa episodeve ku “Neomalësorja” deputete ka qenë e lëkundur dhe jo në një linjë politike me vendimet e grupit të PS-së.

Kur po diskutohej projektligji për Barazinë Gjinore dhe të gjithë deputetëve socialistë u ishte kërkuar të votonin pro, Marjana Koçeku ka pasur një komunikim me drejtuesit e grupit.

Citohet të jetë shprehur se “nga një diskutim me priftin e zonës i ishte thënë se ajo nuk duhej të pajtohej me këtë projektligj”.

Më pas, deputetja Koçeku nuk mori pjesë në seancën ku u votua ky projektligj, duke njoftuar grupin se “kishte nënën të sëmurë”.