Një ekip shkencëtarësh ka identifikuar një përbërës të quajtur PCC1, i cili mund të ndikojë në proceset biologjike të plakjes, sipas një raporti të publikuar nga ScienceDaily. Molekula është nxjerrë nga ekstrakti natyral i farave të rrushit dhe në studimet laboratorike ka treguar rezultate premtuese.
Sipas studiuesve, PCC1 ka aftësinë të eliminojë në mënyrë selektive qelizat e vjetra dhe të dëmtuara, të njohura si qeliza senescente, të cilat me kalimin e kohës dëmtojnë indet dhe kontribuojnë në procesin e plakjes.
Eksperimentet e kryera te minjtë e moshuar treguan se trajtimi me këtë përbërës përmirësoi performancën fizike dhe kapacitetin rigjenerues të organizmit. Po ashtu, në disa raste u vu re edhe rritje e jetëgjatësisë së kafshëve të testuara.
Efekti i PCC1 lidhet me një mekanizëm biologjik të njohur si aktiviteti senolitik, i cili konsiston në eliminimin e qelizave të plakura që ndalojnë ndarjen, por vazhdojnë të qëndrojnë në inde duke lëshuar substanca inflamatore që përshpejtojnë plakjen e qelizave përreth.
Në modelet e kafshëve, studiuesit kanë vërejtur shenja të konsiderueshme rigjenerimi në inde të ndryshme, përfshirë muskujt, veshkat dhe madje edhe indet e trurit pas trajtimit me këtë molekulë.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se studimet tek njerëzit janë ende në fazat e hershme. Prova e parë klinike për sigurinë dhe efektet e mundshme të këtij përbërësi është regjistruar në platformën shkencore ClinicalTrials.gov.
Disa media ndërkombëtare e kanë cilësuar këtë zbulim si një hap drejt zhvillimit të mundshëm të terapive kundër plakjes, megjithëse shkencëtarët paralajmërojnë se nevojiten kërkime të mëtejshme për të vërtetuar efektet e tij tek njerëzit.