Në mes të muajit mars, Shqipëria po përballet me një rikthim të motit të ftohtë, me temperatura të ulëta dhe reshje dëbore, një situatë që vjen pas një pesëmbëdhjetëditëshi të parë të muajit me mot tipik pranveror.
Sipas parashikimeve të meterologes Lajda Porja, në “Ora News”, ky mot i paqëndrueshëm është rezultat i masave ajrore polare që kanë depërtuar nga Europa Veriore drejt Gadishullit të Ballkanit. Ndonëse një situatë e tillë mund të duket e pazakontë, veçanërisht pas dekadave të fundit me temperatura gjithnjë e më të larta, historikisht marsi ka qenë një muaj i lagësht.
Madje, ka pasur raste kur reshjet e dëborës kanë qenë të pranishme edhe në muajin prill. Megjithatë, ky mars pritet të ketë reshje nën normën e zakonshme, pavarësisht episodeve aktuale të motit të keq.
“Po, në fakt temperaturat janë mjaft të ulëta nëse do t’i krahasonim me vlerat normale të marsit.
Nëse do të bënim një krahasim, a është një gjë e cila nuk ka ndodhur? Jo, ne kemi patur raste që kemi patur dëborë edhe përgjatë muajit prill.
Nëse do të bënim një krahasim me vite më përpara, rreth viteve ’90, marsi ka qenë shumë i lagësht, me reshje shiu, reshje dëbore, por pa diskutim na duket një gjë jo shumë normale nëse marrim parasysh dy apo tre dekadat e fundit ku kemi patur nga ndryshimet klimatike temperatura mjaft të larta.
Pasi kemi kaluar pothuajse 15-ditëshin e parë me temperatura të larta tipike vere dhe pa reshje, 15-ditëshi i dytë në fakt ishte i parashikuar që të ishte disi më i paqëndrueshëm.
Për nga ana klimatike, nëse flasim për kushte normale, muaji mars duhet të jetë relativisht mjaft i lagësht, pra është i pasur me reshje.
Megjithatë, ky mars është parashikuar që të mos i ketë reshjet normale, por të jetë nën normën sepse edhe gjatë këtyre ditëve, ne kemi parë që reshjet kanë qenë të pakta.
Ka patur reshje dëbore për shkak se kjo masa e ftohtë polare ka depërtuar nga Europa Veriore drejt kryesisht Gadishullit të Ballkanit dhe një pjesë veriore të Greqisë.
Ndërkohë pjesa tjetër e kontinentit europian po përballet me mot të kthjellët dhe me temperatura më të larta, nëse flasim edhe për Europën Qëndrore këtu.
Parashikohet në fakt që sot reshjet të jenë të fokusuara kryesisht në zonat jugore dhe në juglindje, do të jenë me intensitete të ulëta, do ketë momente me pika shiu zonat qendrore dhe veriu do jetë disi më i qëndrueshëm.
Do të jetë dita e nesërme në fakt, e cila do të jetë me një mot kryesisht të kthjellët, do kemi mjaft diell në pjesën e parë të ditës, vranësirat do të jenë kryesisht në pjesën e dytë të ditës dhe nuk pritet që të ketë reshje, pra dita e nesërme do jetë mjaft e qëndrueshme.
Do të jetë një mëngjes i ftohtë për shkak se sot regjistron termometri -1 në zonat malore dhe maksimumi gjendet në 18°, nesër jemi -2, pra ka një tjetër rënie në orët e para të mëngjesit, duke e bërë mëngjesin pak më të ftohtë ose më saktë temperatura tipike të shkurtit. Ndërkohë maksimumet do jenë tek 19°.
Parashikohet që fundjava të ndryshojë, të fillojë të rrisë gradualisht temperaturat. Megjithatë, unë dua të theksoj në fakt që pjesa e mbetur e muajit mars do të jetë relativisht me temperatura më të ulëta krahasuar me vlerat e pranverës, sidomos vlerat minimale, pra mëngjeset dhe netët do të jenë relativisht të freskëta. Ndërkohë, parashikohet që fundjava dhe gjithë java tjetër të sjellë rritje në vlerat maksimale, duke regjistruar sërish 20°”, u shpreh Porja,