Goditja e tregut të pasurive të paluajtshme në Dubai, për shkak të sulmeve në Lindjen e Mesme, po shndërrohet në një mundësi të re për zonat bregdetare shqiptare, veçanërisht për Vlorën dhe Sarandën.
Si u godit Dubai nga lufta në Lindjen e Mesme
Dubai u bë shumë tërheqës për pasuritë e paluajtshme vitet e fundit sepse u perceptua si një strehë e sigurt për kapitalin ndërkombëtar, me taksa shumë të ulëta, lehtësi për të bërë biznes dhe një treg që ofronte kthime të larta nga qiratë dhe rritja e vlerës së pronës.
Reuters shkruante se për dekada forca e Dubait ka qenë pikërisht imazhi i tij si një vend i qëndrueshëm në një rajon me tensione, ndërsa investitorët tërhiqeshin edhe nga infrastruktura moderne dhe klima miqësore ndaj kapitalit të huaj.
Në vitet e fundit, këtë interes e kanë ushqyer edhe më tej shitjet e larta të pronave në ndërtim dhe hyrja e blerësve të huaj që kërkonin jo vetëm fitim, por edhe diversifikim gjeografik të investimeve të tyre. Pikërisht për këtë arsye, çdo goditje ndaj perceptimit të Dubait si “port i sigurt” ka filluar të shtyjë një pjesë të këtij kapitali drejt tregjeve alternative.
Zhvillimet më të fundit tregojnë se tregu i pasurive të paluajtshme në Dubai po kalon një fazë më të ndërlikuar sesa një rënie lineare. Reuters raportoi në mars se sektori po jepte shenjat e para të dobësimit, me volumet e transaksioneve në Emiratet e Bashkuara Arabe që ranë 37% me bazë vjetore në 12 ditët e para të muajit dhe 49% krahasuar me shkurtin, ndërsa në disa raste në treg po shfaqeshin ulje çmimesh prej 12% deri në 15% për shitje të shpejta.
Sipas të njëjtit raport, konflikti ka goditur imazhin e Dubait si një strehë e sigurt për kapitalin ndërkombëtar dhe ka shtuar rrezikun për një korrigjim më të gjerë të tregut, sidomos pasi kishte tashmë shqetësime se pas pesë vitesh rritjeje të fortë, cikli i pronave po hynte në një fazë ngadalësimi.
Pikërisht në këtë klimë pasigurie, tregje më të vogla dhe në zhvillim, si Vlora dhe Saranda, po përfitojnë vëmendje të shtuar si destinacione alternative për kapitalin që kërkon kthime të larta dhe ekspozim më të ulët ndaj tensioneve të rajonit./Monitor