Të dhënat nga INSTAT mbi statusin civil nxjerrin një hartë me kontraste të forta mes qarqeve të vendit, ku martesa dhe divorci nuk shpërndahen njësoj në të gjithë Shqipërinë.
Nëse disa qarqe shfaqin një profil më të lartë të jetës familjare të konsoliduar, të tjera dallojnë për një peshë më të madhe të divorceve në raport me popullsinë.
Sipas përllogaritjeve për 1,000 banorë, Vlora rezulton qarku me normën më të lartë të personave të divorcuar, me 21.2 të divorcuar për çdo 1,000 banorë.
Menjëherë pas saj renditet Gjirokastra me 18.7, më tej Berati me 16.9, Korça me 16.1 dhe Tirana me 15.7 të divorcuar për 1,000 banorë.
Në skajin tjetër të tabelës qëndron Kukësi, me vetëm 5.8 të divorcuar për 1,000 banorë, niveli më i ulët në vend. Edhe Dibra paraqitet me një normë relativisht të ulët, 9.1 për 1,000 banorë, ndërsa Lezha qëndron e treta nga fundi, me 11.5 për 1,000 banorë.
Këto shifra krijojnë një ndarje të qartë mes qarqeve. Nga njëra anë janë qarqe si Vlora, Gjirokastra, Berati dhe Korça, ku pesha e të divorcuarve del dukshëm më e lartë. Nga ana tjetër janë qarqe si Kukësi dhe Dibra, ku divorci, të paktën sipas statusit civil të regjistruar në census, shfaqet shumë më i kufizuar në raport me popullsinë./SCAN