Një slogan sa i pazakontë aq edhe viral ka bërë xhiron e rrjetit dhe ka sjellë rezultate rekord për ushtrinë e Tajlandës.
Me mesazhin provokues “Take a break from your wife” (“Largohu pak nga gruaja”), ushtria tajlandeze ka arritur të tejkalojë objektivat e rekrutimit për herë të parë, duke tërhequr mijëra aplikime në vetëm pak ditë.
Sipas të dhënave zyrtare, në ditët e para të fushatës, nga 1 deri më 12 prill, ushtria mori mbi 30 mijë aplikime online, duke e çuar planin e rekrutimit në 105%, një rekord historik për këtë skemë.
Fushata u mbështet te humori dhe mesazhet provokuese në rrjetet sociale.
Një nga sloganet që mori më shumë vëmendje ishte:
“Nuk ka vend më të mirë për t’u larguar nga gruaja sesa kampi ushtarak.”
Një tjetër mesazh viral u drejtohej djemve që kishin kaluar ndarje sentimentale, duke u premtuar se stërvitja intensive do t’i bënte të harronin ish-partneren shumë shpejt.
Sipas mediave tajlandeze, suksesi i kësaj fushate lidhet me përdorimin e një gjuhe më të afërt me të rinjtë, larg sloganeve tradicionale patriotike dhe më pranë humorit të rrjeteve sociale.
Në një prej videove që po qarkullon në rrjet, shihen ushtarë që performojnë në skena dhe kërcejnë, duke treguar një imazh krejtësisht ndryshe dhe argëtues të jetës ushtarake, larg rregullave të ngurta.
Përveç humorit, ushtria ka theksuar edhe përfitimet praktike, si pagesa mujore, ushqimi falas dhe akomodimi në kazermë.
Madje, sipas një prej reklamave, paga e muajit të parë transferohet direkt në llogarinë bankare të nënës së rekrutëve.
Fushata është bërë menjëherë virale në Tajlandë, duke nxitur edhe meme dhe parodi të shumta në rrjet, por njëkohësisht ka sjellë rezultatin që ushtria kërkonte: tejkalimin e objektivit të rekrutimit.