Detaje të reja janë zbuluar nga aksidenti tragjik në aksin rrugor Lezhë-Kakarriq ku kanë humbur jetën babai dhe vajza e tij, pasi automjeti i tyre përfundoi i përmbysur në një kanal me ujë.
Sipas të dhënave paraprake, dy viktimat punonin në kampin e emigrantëve në Gjadër dhe ishin duke u kthyer në shtëpi pas përfundimit të punës.
Dyshohet se aksidenti ka ndodhur gjatë orëve të pasdites së 25 prillit, por ngjarja nuk është konstatuar menjëherë.
Makina ka mbetur e fshehur në kanal dhe nuk është vënë re deri në orët e vona të mbrëmjes.
Alarmi është dhënë fillimisht nga familjarët, të cilët, të shqetësuar pasi nuk arritën të kontaktonin me ta, nisën kërkime.
Më pas, gjatë një patrullimi në zonë, policia ka gjetur automjetin e përmbysur dhe trupat e pajetë të babait dhe vajzës brenda tij. Autoritetet po punojnë për të sqaruar shkaqet e sakta të aksidentit, ndërsa dyshohet se humbja e kontrollit të mjetit ka çuar në daljen nga rruga dhe rënien në kanal.