Një denoncim i rëndë ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një qytetar në Pogradec, i cili pretendon se është dhunuar brutalisht nga disa persona që ai i njeh, ndërsa më pas autorët janë lënë të lirë vetëm pak orë pas shoqërimit.
Sipas dëshmisë së tij, ngjarja ka nisur pas një konflikti të çastit në rrugë. Ai tregon se situata ka degraduar menjëherë në dhunë fizike, ku është goditur me sende të forta, përfshirë edhe shkop bejsbolli, duke pësuar dëmtime në kokë.
Siç shihet edhe në foton e dërguar, i riu ka marrë qepje në kokë, ndërsa në videon e siguruar duket automjeti i tij me xhamat e thyer dhe copat e shpërndara në brendësi të mjetit.
“Jam goditur me shkop bejsbolli, më kanë shkatërruar makinën. Jam i qepur në kokë… Policia i mbajti vetëm 8 orë dhe i la të lirë,” – shprehet ai, duke kërkuar që rasti të bëhet publik.
Qytetari thekson se i njeh autorët dhe se ka bërë kallëzim ndaj tyre, por është i indinjuar për mënyrën se si, sipas tij, është trajtuar rasti.
Ndërkohë, në njoftimin zyrtar, Policia e Pogradecit bën me dije se janë referuar materialet në Prokurori dhe ka nisur procedimi penal për dy shtetas, të cilët dyshohet se kanë goditur me grushte dhe sende të forta një 31-vjeçar, si dhe i kanë dëmtuar automjetin.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave, ndërsa mbetet për t’u parë nëse ndaj personave të përfshirë do të merren masa të mëtejshme.