Avokati Spartak Ngjela ka komentuar sot në emisionin “Breaking” në Top News, aksidentin tragjik që ndodhi në Durrës, ku humbën jetën dy të mitur dhe u plagos rëndë një tjetër.
Sipas avokatit është rritur kriminaliteti i shoferëve të papërgjegjshëm dhe për këtë fajin e ka policia. Por nga ana tjetër, ai vendosi përgjegjësi edhe mbi familjarët e të miturve, pasi sipas avokatit, fëmijë të asaj moshë nuk duhet të jenë në rrugë.
“Është tragjedi. Por ata nuk bëjnë mirë që i lënë fëmijët në rrugë. Sot dihet se një pjesë e atyre që ngasin makinat në këtë mënyrë janë të dehur. E ka fajin policia. Sepse këta që janë të dehur paguajnë policinë. Ky është problemi. Është shtuar kriminaliteti i shoferëve të pakujdesshëm. Pastaj këto janë gjëra që ndodhin. Fëmijët në atë moshë nuk mund të rrinë në rrugë. Por është fatkeqësi, nuk kemi çfarë t’i bëjmë”– tha avokati.
Kujtojmë se fëmijët ishin duke luajtur në trotuar në momentin që Nikollë Radaçi me shpejtësi të lartë, i mori para me makinën e tij “Benz”. Dy të mitur humbën jetën, teksa i treti ndodhet në spitalin e Traumës.
57-vjeçari ishte bërë shqetësim i vazhdueshëm për banorët e zonës, të cilët kishin bërë disa herë ankesa në polici për drejtimin e automjetit me shpejtësi të lartë dhe në gjendje të dehur. Madje, vetëm një ditë më parë, një banor kishte shmangur për pak një aksident bashkë me nipin e tij të mitur. Mësohet se ai ishte ndëshkuar edhe më herët nga policia, ndërsa në dy raste i ishte hequr leja e drejtimit për shkak të drejtimit të mjetit në gjendje të dehur. Ngjarja tragjike, sipas dëshmive të banorëve, shihet si një aksident i paralajmëruar