Shtyu babain nga shkallët pasi v(r)au nënën me sopatë, arr*stohet 43-vjeçari në Sarandë

Policia ka vënë në pranga një 43-vjeçar në Sarandë, i dënuar për një ngjarje të rëndë familjare të ndodhur dy vite më parë në fshatin Shalës, Konispol.

Sipas autoriteteve, në pranga ka rënë Klementin Islamaj, i cili ishte dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë me 3 vite e 4 muaj burgim për veprën penale “Vrasja e kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike”.

Ngjarja ka ndodhur në vitin 2024, kur në banesën e familjes Islamaj shpërtheu një konflikt i rëndë. Sipas hetimeve, 69-vjeçari Hysen Islamaj vrau me sëpatë bashkëshorten e tij, Shano Islamaj.

Më pas, ai është konfliktuar me djalin e tij, i cili dyshohet se e ka shtyrë nga shkallët e banesës, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Pas përfundimit të procesit gjyqësor, 43-vjeçari është arrestuar për të vuajtur dënimin e dhënë nga gjykata.

Policia bëri me dije se vijojnë procedurat për ekzekutimin e vendimit dhe dokumentimin e plotë të çështjes.