A janë të justifikuara këto shqetësime? Çfarë parashikojnë rregullat e BE-së për mbrojtjen e të dhënave? Dhe çfarë filmohet në të vërtetë brenda automjetit?
Si funksionon teknologjia e kamerës?
Kamerat që përdoren për të monitoruar lëvizjet dhe sjelljen e shoferit zakonisht janë të fiksuara dhe instalohen në automjet që në fabrikë. Në shumicën e rasteve ato ndodhen pas pasqyrës së brendshme ose janë të integruara në panelin e butonave tek automjeti. Ekzistojnë gjithashtu pajisje shtesë që mund të blihen veçmas dhe të montohen në pjesë të ndryshme të kabinës së automjetit.
Vërtet që monitorimi është i vazhdueshëm: Kamera monitoron drejtimin e shikimit, lëvizjet e kokës, pozicionin e syve dhe sjellje të tjera që mund të tregojnë se shoferi është i shpërqendruar ose shikon tek celulari. Nëse sistemi konstaton mungesë vëmendjeje për një periudhë të caktuar, ai lëshon një paralajmërim për ta rikthyer vëmendjen e shoferit te rruga.
Rregullorja e BE-së 2023/4523 përcakton me saktësi, se në cilat drejtime shoferi mund ta orientojë vëmendjen e tij pa u konsideruar i shpërqendruar. Ajo përfshin gjithashtu zona që konsiderohen të padëmshme, si shikimi drejt dritares së pasagjerit ose drejt treguesve dhe ekraneve të panelit të instrumenteve. Qëllimi i sistemit nuk është të regjistrojë çdo lëvizje të shoferit, por të identifikojë momentet kur vëmendja largohet nga rruga për një kohë që mund të rrezikojë sigurinë në trafik.
Sistemi i paralajmërimit aktivizohet në varësi të shpejtësisë së automjetit:
Në shpejtësi nga 20 deri në 50 km/h: paralajmërimi aktivizohet nëse shoferi e largon shikimin nga rruga për gjashtë sekonda ose më shumë. Në shpejtësi mbi 50 km/h: sistemi reagon më shpejt dhe aktivizohet nëse shikimi largohet nga rruga për tre sekonda e gjysmë ose më shumë. Kjo do të thotë se sa më e lartë të jetë shpejtësia, aq më shpejt sistemi e konsideron shpërqendrimin si rrezik dhe e paralajmëron shoferin për t’ia rikthyer vëmendjen trafikut.
Ndryshe nga sa druajnë shumë zëra në internet, sistemi i kamerave nuk krijon një arkiv shumëorësh me video të të gjitha udhëtimeve me makinë. Prodhuesve u ndalohet të regjistrojnë më shumë të dhëna sesa ato që janë të domosdoshme për funksionimin e sistemit ADDW (Advanced Driver Distraction Warning). Kjo do të thotë, për shembull, se krahas videos nuk regjistrohet automatikisht asnjë audio.
Po ashtu, të dhënat video nuk ruhen përgjithmonë në memorien e automjetit. Ato mbishkruhen vazhdimisht, në mënyrë që të mos krijohet një bazë të dhënash afatgjatë për lëvizjet ose sjelljen e shoferit. Me fjalë të tjera, sistemi është projektuar kryesisht për të analizuar në kohë reale nivelin e vëmendjes së shoferit dhe për ta paralajmëruar atë në rast shpërqendrimi, jo për të regjistruar apo ruajtur të gjitha udhëtimet e tij.
Një nga pyetjet më të rëndësishme për pranimin e këtyre sistemeve është se çfarë ndodh me të dhënat që regjistrohen. Sipas rregullave aktuale, të dhënat përpunohen vetëm lokalisht brenda automjetit dhe nuk transmetohen në internet – pra as te prodhuesi i makinës dhe as te ndonjë autoritet shtetëror.
Kjo do të thotë se nuk parashikohet dërgimi automatik i videove ose i të dhënave të sjelljes së shoferit në serverë të jashtëm. Sistemi analizon informacionin në kohë reale për të përcaktuar nëse shoferi është i shpërqendruar dhe, nëse është e nevojshme, lëshon një paralajmërim.
Për këtë arsye, një mbikëqyrje e vazhdueshme shtetërore nuk është e mundur me konfigurimin aktual të sistemit, përveç nëse në të ardhmen do të bëheshin ndryshime të tjera teknike në funksionet e automjetit që do të mundësonin transmetimin e këtyre të dhënave. Aktualisht, rregullorja e BE-së nuk e parashikon një gjë të tillë.
Rregullore e rreptë për mbrojtjen e të dhënave
Rregullorja e Bashkimit Evropian parashikon kritere shumë të rrepta për mbrojtjen e privatësisë. Të dhënat biometrike dhe të dhënat personale nuk lejohen të mblidhen nga kamera ADDW.
Kjo do të thotë se sistemi nuk duhet të jetë në gjendje të identifikojë personin konkret që ndodhet pas timonit. Qëllimi i tij është vetëm të analizojë nëse shoferi po i kushton vëmendje rrugës, dhe jo të përcaktojë identitetin e tij. Për më tepër, çdo përpunim i të dhënave duhet të kryhet në përputhje me Rregulloren e Përgjithshme të BE-së për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR).
Fakti që kjo rregullore do të hynte në fuqi nuk është i ri. Rregullorja e BE-së 2019/2144, mbi të cilën bazohet kjo masë, ka hyrë në fuqi që në fillim të janarit 2020. Që nga korriku i vitit 2024, të gjitha modelet e reja të automjeteve duhej të pajiseshin me këto sisteme të reja sigurie. Tashmë, detyrimi është zgjeruar dhe vlen për të gjitha automjetet e reja që dalin në treg në BE.
Përjashtim bëjnë vetëm automjetet e rënda komerciale dhe kamionët, për të cilët kjo kërkesë do të zbatohet duke filluar nga viti 2029. Ndërkohë, automjetet ekzistuese nuk kanë nevojë të pajisen më pas me këtë teknologji. Pronarët e tyre mund të vazhdojnë t’i përdorin normalisht në të gjithë Evropën edhe pa kamerën për monitorimin e vëmendjes së shoferit. Pra, rregulli i ri prek vetëm automjetet e reja, jo ato që tashmë janë në qarkullim./DW/
Pages: 1 2
