Momente terrori janë regjistruar në zonën Arenella, në Piazza Medaglie d’Oro në Napoli të Italisë, ku një grabitje me armë në degën e bankës Credit Agricole ka përfunduar me një situatë pengmarrjeje brenda godinës.
Sipas autoriteteve italiane, disa persona të armatosur janë futur në bankë dhe janë mbyllur brenda saj, duke marrë peng rreth 25 persona mes klientëve dhe punonjësve.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e karabinierëve, të cilat kanë rrethuar zonën dhe kanë evakuuar perimetrin e rrezikut. Me ndihmën e zjarrfikësve, është përdorur një mjet i posaçëm për thyerjen e hyrjes kryesore, duke hapur një kalim për ndërhyrje brenda objektit.
Pas ndërhyrjes së forcave të rendit, ka nisur një fazë negociatash që ka çuar në lirimin e të gjithë pengjeve.
Nga të dhënat e para, 6 persona, punonjës dhe klientë të bankës, kanë marrë ndihmë mjekësore në vendngjarje për shkak të gjendjes së rënduar të ankthit, por fatmirësisht pa dëmtime serioze.
Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që autorët, një grup prej 3–4 personash me maska të improvizuara me fytyra aktorësh, të jenë arratisur përmes një hapjeje të bërë në mur ose dysheme të bankës. Versioni mbetet ende nën hetim, ndërsa pritet mbërritja e forcave speciale GIS për sqarimin e plotë të rrethanave.
Ndërkohë, në sheshin Medaglie d’Oro po kryhen këqyrje edhe mbi një automjet që dyshohet se është përdorur nga grabitësit gjatë krimit.