Autoritetet konstatuan mungesën e një pjese të rëndësishme të videos nga kamera e hotelit, që mbulon zonën ku dyshohet se u la 19-vjeçarja. Hetimi për vd ekjen e saj në Argostoli të Kefalonisë po merr kthesa të reja, ndërsa shtohen zhvillimet dhe pikëpyetjet.
Pala e familjes këmbëngul se përgjegjësitë nuk janë zbardhur plotësisht dhe nuk përjashtohet përfshirja e personave të tjerë, gjë që mund të çojë në zgjerimin e akuzave.
Avokati i familjes: “Çështja do të zgjerohet”
Avokati Panagis Drakulogonas, në një intervistë për ANT1, u shpreh se hetimet kanë ende rrugë për të bërë dhe se mund të ketë zhvillime të reja.
Sipas tij: “Procesi hetimor do të vazhdojë për disa javë, madje edhe muaj. Vlerësimi ynë është se do të ketë zgjerim të akuzave”.
Ai shtoi se qëndrimet e familjes mbështeten në provat aktuale, duke respektuar konfidencialitetin e procedurës hetimore.
Avokati theksoi se hetimi nuk duhet të kufizohet vetëm në orët e fundit para vd ekjes së vajzës, por duhet të shtrihet më gjerë në kohë.
“Të zbulohet çfarë ndodhi realisht, jo vetëm në dy orët e fundit, por edhe në 6 apo 8 orët e mëparshme. Ndoshta duhet të hetohen edhe ngjarje të ndodhura një javë apo 15 ditë më parë. Kur të dalë e vërteta, jemi të bindur se do të vendoset drejtësia”, tha ai.
Ai ngriti edhe një pyetje kyçe: si është e mundur që një vajzë, e cila sipas familjes nuk kishte përdorur kurrë substanca të ndaluara, të gjendej papritur në një hotel dhe pak orë më pas të humbiste jetën.
Babai i 19-vjeçares: “Dita më e vështirë e jetës sime”
Duke folur për MEGA, babai i vajzës tha se po përjeton dhimbjen më të madhe të jetës.
“Është dita më e vështirë e jetës sime. Vajzën time e kisha rritur me parime dhe edukatë. Nuk mund ta besoj”, u shpreh ai.
Ai shtoi se fliste me të çdo mbrëmje dhe i kërkonte të kishte kujdes. Sipas tij, vajza mund të jetë futur në një situatë të rrezikshme dhe të jetë manipuluar.
Nëna e saj deklaroi: “Dua të di pse ndodhi kjo me vajzën time. Pse nuk e çuan menjëherë në spital? U humb shumë kohë”.
Një person i katërt në qendër të hetimeve
Në çështje është përmendur edhe një 66-vjeçar në pension nga Preveza, i cili është paraqitur vetë në polici.
Ai deklaroi se e kishte njohur vajzën përmes 23-vjeçarit dhe se komunikonin në WhatsApp. Sipas tij, vajza ishte në gjendje të rënduar psikologjike dhe i kishte thënë se kishte ikur nga shtëpia dhe nuk dinte ku të qëndronte.
66-vjeçari tha se i kishte dërguar 220 euro për të qëndruar në hotel, duke paraqitur edhe provën e pagesës.
Megjithatë, deklarimet e tij bien ndesh me versionin e 23-vjeçarit, i cili nuk përmendi ndihmën financiare dhe dha një tjetër version të ngjarjeve.
Videothirrja e fundit dhe emri misterioz
Sipas të dhënave, vajza ishte gjallë deri rreth orës 04:00, kur u regjistrua videothirrja e fundit me 66-vjeçarin.
Ai deklaroi se telefonata u ndërpre papritur kur dikush hyri në dhomë dhe se dëgjoi një emër mashkulli që nuk përputhet me të akuzuarit, duke ngritur dyshime për përfshirje të një personi tjetër.
Telefonatat pas incidentit
Në orën 05:04, 23-vjeçari e kontaktoi 66-vjeçarin dhe i tha se vajza ishte dërguar në spital. Më pas, në 05:34, deklaroi se kishte frikë të shkonte në spital për shkak të policisë. Në 06:09 tha se kishte lënë telefonin e saj në një kafene. Më vonë njoftoi se vajza kishte humbur jetën.
Video e munguar dhe pyetje të reja
Autoritetet konstatuan mungesën e një pjese të rëndësishme të videos nga kamera e hotelit, që mbulon zonën ku dyshohet se u la vajza. Aktualisht po kërkohen pamje edhe nga bizneset përreth për të plotësuar boshllëqet.
Paraburgim për tre të dyshuarit
Më 17 prill, pas dëshmive, tre të rinjtë u lanë në paraburgim: 23-vjeçari, një 26-vjeçar ish-peshëngritës dhe një 22-vjeçar me shtetësi shqiptare.
Ata akuzohen për vrasje me dashje përmes mosveprimit.
Deklarimet e të akuzuarve
26-vjeçari pranoi se kishte siguruar substancat dhe se përdorimi i dytë ndodhi rreth orës 04:00, kur vajza shfaqi probleme shëndetësore.
Ai tha se mendoi se bëhej fjalë për një krizë shëndetësore dhe u përpoq ta ndihmonte. Gjithashtu pranoi se kishte dhënë fillimisht informacion të pasaktë për praninë e tij dhe mohoi braktisjen.
Për të riun shqiptar, ai deklaroi se ishte njoftuar dhe kishte ardhur rastësisht në dhomën ngjitur.