Një shqetësim i ardhur nga zona e Astir ngre edhe një herë në pah një fenomen që po bëhet gjithnjë e më i dukshëm në hapësirat publike të Tiranës: mungesa e edukatës qytetare dhe papërgjegjshmëria ndaj ambientit që na rrethon.
Sipas denoncimit, një çift i dashuruar i kapur dorëpërdorë është parë duke hedhur mbeturina në rrugë, pa asnjë shqetësim për ndotjen që krijonin apo për shembullin që japin në publik. Sjellje të tilla, përtej faktit që dëmtojnë mjedisin, reflektojnë një problem më të thellë, një kulturë indiference ndaj rregullave minimale të bashkëjetesës në qytet.
Pamje të tilla nuk janë më raste të izoluara. Hedhja e mbeturinave jashtë vendeve të caktuara, mungesa e respektit për hapësirat e përbashkëta dhe normalizimi i këtyre veprimeve po kthehen në një fenomen shqetësues për kryeqytetin.
Në një qytet që synon standarde më të larta jetese, këto sjellje e tërheqin pas zhvillimin dhe krijojnë një imazh negativ për të gjithë. Pyetja që shtrohet është e thjeshtë: a është kaq e vështirë të ruash pastërtinë dhe të respektosh hapësirën publike duke hedhur mbeturinat në kosh?
Sepse në fund të ditës, qyteti nuk ndotet vetëm nga mungesa e koshave por dhe nga mungesa e ndërgjegjes.