Një situatë sa absurde aq edhe irrituese është regjistruar në rrugët e kryeqytetit, pranë ish-Restorant Durrësit, ku protagonistë janë bërë dy të rinj që lëviznin me një monopatinë elektrike. Një qytetar ka dërguar pranë redaksisë së JOQ Albania pamje nga momenti i një aksidenti, i cili për fat të mirë nuk ka përfunduar me lëndime të rënda, por me një sherr verbal të paprecedentë.
Sipas dëshmisë së qytetarit, një djalë dhe një vajzë që po udhëtonin të dy në një monopatinë, një veprim ky i ndaluar aktualisht nga autoritetet, kanë përplasur një këmbësor i cili po kalonte rrugën rregullisht mbi vijat e bardha. Nga goditja, të dy të rinjtë janë rrëzuar në asfalt, por në vend që të kërkonin ndjesë apo të interesoheshin për gjendjen e këmbësorit, kanë nisur sulmin verbal.
Ajo që ka lënë pa fjalë dëshmitarët ka qenë arroganca e dyshes mbi monopatinë. Ndonëse fajtorë për shkak të vendit të aksidentit (vijat e bardha) dhe mjetit, ata i janë drejtuar këmbësorit me fjalët: “A nuk shikon o idiot?”.
Sipas qytetarit që ka parë skenën, të rinjtë e akuzonin djalin që po kalonte rrugën për “mungesë përqendrimi”, ndonëse ai ishte në të drejtën e tij të plotë.
“Vetë u rrëzuan dhe djalin e akuzonin për mos përqëndrim në vijat e bardha… si t’ja vendosesh emrin kësaj gjëje?” – shprehet i revoltuar qytetari për JOQ.
Ky rast rikthen sërish në vëmendje rrezikun që paraqesin monopatinat elektrike kur përdoren jashtë rregullave, shpesh duke u bërë burim aksidentesh jo vetëm për mjetet, por edhe për këmbësorët në zonat që supozohet të jenë më të sigurtat për ta.
Ju si do t’i jepnit emër kësaj sjelljeje?