Ajo që po ndodh me Himarën nuk është më thjesht zhvillim urban, por një ekzekutim i mirëfilltë i peizazhit të mrekullueshëm të jugut. Ndërsa vëmendja e publikut u mbajt e mbërthyer pas përplasjeve politike dhe betejave për karrigen e kryebashkiakut, në prapaskenë u thur një plan i ftohtë për dorëzimin e këtij xhevahiri në duart e betonit.
Tani që zhurma politike ka rënë, e vërteta po del në dritë: Këshilli Kombëtar i Territorit ka vulosur fatin e zonës së Potamit, duke miratuar lejen për ndërtimin e disa kullave që shkojnë deri në 16 kate lartësi, një projekt ky që do të realizohet nga kompania Eldino.
Ky vendim shënon zyrtarisht kapitullimin e fundit të bregdetit shqiptar përballë “Golemizimit” masiv. Pas Durrësit, Vlorës, Shëngjinit dhe Sarandës, babëzia e ndërtimeve pa limit ka mbërritur tashmë në zemër të Himarës, duke e kthyer një nga zonat më të bukura të Mesdheut në një kantier ku përbindëshat e betonit do të mbulojnë detin dhe malin.
E gjithë kjo lëvizje nisi me ndryshimet e planit urbanistik që në fund të vitit 2023, duke shfrytëzuar periudhën e trazimeve në bashki, ku administratorët e përkohshëm hartuan rrugën që i shërbente vetëm interesave të ndërtuesve dhe jo banorëve apo natyrës.
Me miratimin e planit të ri mes tensioneve të forta, lartësitë e ndërtimeve në Himarë u rritën në qiell, duke hapur rrugën për projektet që po shohim sot. Pasojat janë tashmë të pakthyeshme; ajo që dikur njihej si një parajsë e qetë, po shndërrohet në një xhungël betoni ku fitimi i shpejtë peshon më shumë se trashëgimia natyrore.
Ky realitet i dhimbshëm vërteton edhe një herë se armiqtë më të mëdhenj të bukurive të Shqipërisë janë shpesh vetë ata që kanë fuqinë për t’i mbrojtur, por që zgjedhin t’i tjetërsojnë për llogari të përfitimeve financiare. Himara po ndryshon përgjithmonë, dhe këtë herë, faji nuk mund t’i lihet askujt tjetër veçse politikave që po e mbysin bregdetin në beton.