Një incident i pazakontë është regjistruar në SHBA, ku një avion i United Airlines është përplasur në ajër me një objekt që dyshohet të ketë qenë dron.
Ngjarja ndodhi në San Diego, kur avioni tip Boeing 737, fluturimi 1980, ishte në një lartësi rreth 1000 metra, pak para uljes. Avioni ishte nisur nga San Francisco dhe kishte në bord 48 pasagjerë dhe 6 anëtarë ekuipazhi.
Sipas pilotit, objekti që goditi avionin ishte “i vogël, i kuq dhe me shkëlqim”, ndërsa komunikimi me kullën e kontrollit është publikuar edhe në rrjetet sociale.
Nga ana e kompanisë ajrore është bërë e ditur se avioni u ul në mënyrë të sigurt dhe pas kontrollit teknik nuk janë konstatuar dëmtime. Fatmirësisht, nuk raportohet për të lënduar.
Autoriteti amerikan i aviacionit, Federal Aviation Administration, ka nisur hetimet për të zbuluar natyrën e objektit dhe si ka mundur të arrijë në atë lartësi.
Sipas rregullave në fuqi, dronët nuk lejohen të fluturojnë mbi 400 këmbë pa autorizim të posaçëm dhe duhet të shmangin hapësirat ajrore pranë aeroporteve, çka e bën rastin edhe më misterioz.
Ekspertët theksojnë se përplasjet mes avionëve dhe dronëve janë të rralla, por rastet e raportuara janë në rritje vitet e fundit, duke ngritur shqetësime për sigurinë ajrore.