Një situatë e pazakontë ka shqetësuar ditën e sotme qytetarët e Lushnjë, të cilët kanë kontaktuar redaksinë tonë duke raportuar për praninë e disa avionëve ushtarakë që po kryenin manovra në hapësirën ajrore të zonës.
Sipas dëshmive të mbërritura, fluturimet janë vënë re për disa minuta, ndërsa lëvizjet e avionëve janë perceptuar si të pazakonta, duke krijuar pasiguri dhe panik tek banorët. Disa prej tyre shprehen se zhurma e fortë dhe afrimi i avionëve kanë ngritur shqetësime për natyrën e këtyre manovrave.
Deri në këto momente nuk ka një reagim zyrtar nga autoritetet përkatëse, ndërsa mbetet e paqartë nëse bëhet fjalë për një stërvitje të planifikuar të Forcave të Armatosura apo për ndonjë aktivitet tjetër.
Në mungesë të informacionit zyrtar, qytetarët kërkojnë më shumë sqarime për të shmangur panikun dhe keqkuptimet në situata të tilla.