Një ngjarje e pazakontë është regjistruar mbrëmjen e 30 prillit 2026 në Dhërmi, ku një 17-vjeçare dyshohet se ka tentuar të vjedhë një automjet tip “Land Rover”, duke përfunduar në përplasje gjatë përpjekjes për t’iu shmangur Policisë.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Policisë reaguan menjëherë pas denoncimit për vjedhjen e automjetit, duke bërë të mundur lokalizimin dhe ndalimin e tij në një kohë të shkurtër. Drejtuesja e mjetit nuk i është bindur urdhrit të efektivëve për ndalim dhe, gjatë manovrave për t’u larguar, ka shkaktuar dëmtime në automjetin e marrë pa leje. 🡇𝐒𝐡𝐭ყ𝐩η𝐢 𝐢ɱ𝐚𝐳𝐡𝐢𝐧/𝐫ҽ𝐤𝐈𝐚ɱɱ𝐞𝐧 𝐦ë ρ𝐨𝐬𝐡𝐭ë 𝐝𝐡𝐞 𝐡𝐚𝐩 𝐩𝐚𝐦𝐣𝐞𝐭🡇
Nga veprimet hetimore rezulton se e mitura, së bashku me një 25-vjeçar me inicialet N. Xh., banues në Durrës, kishin udhëtuar drejt Dhërmiut me një automjet tip “Benz”. Fillimisht, ata kishin shkuar me pretendimin për të blerë automjetin “Land Rover”, në përdorim nga një shtetas nga Tirana. Duke përfituar nga mungesa e pronarit, 17-vjeçarja ka ndezur automjetin dhe është larguar pa autorizim.
Hetimet paraprake tregojnë se ajo ka bashkëpunuar me 25-vjeçarin, i cili u ndalua më pas në lagjen “Kushtrimi”, në Vlorë. Ndërkohë, automjeti me të cilin kishin mbërritur në Dhërmi është përplasur në zonën e Palasës dhe është braktisur nga autorët.
Në përfundim të veprimeve procedurale, 25-vjeçari u arrestua për veprat penale “Vjedhje e mbetur në tentativë”, kryer në bashkëpunim, “Mosbindje ndaj urdhrit të Policisë” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”. Ndërsa 17-vjeçarja akuzohet për “Vjedhje e mbetur në tentativë”, në bashkëpunim, “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”, “Shkatërrim i pronës” dhe “Mosbindje ndaj urdhrit të Policisë”.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar të dy automjetet, si ai që u tentua të vidhej, ashtu edhe mjeti i përdorur nga autorët. Materialet i janë referuar Prokurorisë për vijimin e procedurave ligjore.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.