Një ngjarje që ngjan me skenaret e filmave aksion ka t ronditur zonën bregdetare të Dhërmiut, ku një tentativë për të blerë një automjet luksoz është shndërruar brenda pak minutash në një ndjekje policore dhe arrestim me akuza të rënda.
Një 25-vjeçar nga qyteti i Durrësit dhe një vajzë e mitur vetëm 17 vjeçe kishin udhëtuar drejt jugut me pretendimin se do të blinin një makinë tip “Land Rover” nga një shtetas tiranas, por qëllimi i tyre i vërtetë doli në dritë sapo pronari i mjetit u largua për një moment.
Duke përfituar nga mungesa e vëmendjes dhe pakujdesia e pronarit, adoleshentja ka marrë guximin të hyjë në makinë, ta ndezë atë dhe të largohet me shpejtësi, duke lënë pas shitësin e habitur. Menjëherë pas denoncimit, shërbimet e Policisë së Vlorës organizuan punën për lokalizimin e mjetit, por situata u përshkallëzua kur 17-vjeçarja refuzoi t’i bindej urdhrit për të ndaluar.
Ajo nisi një seri manovrash të rrezikshme në aksin rrugor Dhërmi-Vlorë, duke rrezikuar jetën e përdoruesve të tjerë të rrugës, deri sa humbi kontrollin dhe u përplas fuqishëm në zonën e Palasës.
Aksidenti la pas dëme të shumta materiale në mjetin e vjedhur, por kjo nuk i ndali autorët të tentonin arratisjen e fundit. Ndërsa e mitura u ndalua pas përplasjes, bashkëpunëtori i saj 25-vjeçar u kap pak më vonë nga policia në lagjen “Kushtrimi” në Vlorë.
Nga hetimet doli se edhe automjeti tip “Benz” me të cilin çifti kishte mbërritur në bregdet ishte braktisur i përplasur në Palasë, duke dëshmuar për një udhëtim të mbushur me pakujdesi dhe shkelje ligjore.
Tashmë të dy të rinjtë ndodhen pas hekurave, ku mbi supe rëndojnë një sërë veprash penale si vjedhja e mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim, mosbindja ndaj forcave të rendit dhe shkatërrimi i pronës.
Për më tepër, 17-vjeçarja do të përgjigjet edhe për drejtimin e mjetit në mënyrë të parregullt, ndërsa 25-vjeçari për largim nga vendi i aksidentit. Policia ka sekuestruar të dyja makinat në cilësinë e provës materiale dhe ia ka referuar dosjen Prokurorisë për të zbardhur plotësisht dinamikën e kësaj historie të pazakontë që nisi si biznes dhe përfundoi në qeli.