Në një atmosferë të mbushur me dhimbje dhe pikëllim, familja Muçaj në Durrës ka rrëfyer përjetimet pas humbjes tr*gjike të 12-vjeçarit Enea, i cili humbi jetën në një aksident të rëndë rrugor së bashku me shokun e tij.
Babai i të miturit, Ermal Muçaj, përshkruan një dhimbje të papërshkrueshme, duke treguar se kujtimi i të birit e ndjek në çdo moment të ditës.
“Ikja, lëvizja… tani më preu krahët. Në çdo cep më duket sikur më thërret: ‘O babi, pse s’më merr?’”, shprehet ai, mes lotësh.
Enea humbi jetën teksa ndodhej me shokun e tij të ngushtë, ndërsa një tjetër fëmijë, 8-vjeçari Arbion, mbeti i plagosur dhe vijon të marrë trajtim mjekësor.
Familjarët tregojnë se 12-vjeçari kishte ëndrra dhe plane për të ardhmen. Ai ishte i apasionuar pas futbollit dhe dëshironte të ndihmonte familjen, duke ndjekur rrugën e të atit si mekanik.
Sipas babait, ngjarja ishte e paralajmëruar, ndërsa ai ngre akuza për neglizhencë institucionale dhe mungesë reagimi ndaj denoncimeve të vazhdueshme për rrezikun në zonë.
“Kishim muaj që denonconim. Ishte rrezik i përditshëm. Por askush nuk ndërhyri,” u shpreh ai, duke shtuar se situata e sigurisë rrugore mbetet shqetësuese për fëmijët dhe banorët.
Dhimbjes i bashkohet edhe gjyshja e të miturit, e cila mes lotësh tregon vështirësinë për të përbaIIuar humbjen.
“Është dhimbje shumë e fortë… mezi qëndroj në këmbë,” shprehet ajo, ndërsa familja përpiqet të gjejë forcë tek fëmijët e tjerë.
Në këtë situatë të rëndë, familjarët kërkojnë drejtësi për humbjen e dy fëmijëve dhe masa konkrete për rritjen e sigurisë rrugore, me qëllim shmangien e tragjedive të ngjashme në të ardhmen.
