KANADA/SHBA – Një video e publikuar në rrjetet sociale ka bërë xhiron e botës, duke dokumentuar një incident të rëndë në Ujëvarat e Niagarës, ku një burrë arriti të mbijetojë pasi u përfshi nga rrjedhat e fuqishme të ujit.
Sipas mediave të huaja, ngjarja ka ndodhur në fund të muajit qershor në zonën e Horseshoe Falls, pjesë e kompleksit të ujëvarave. Burri ndodhej pranë buzës së ujëvarës kur u mor nga rrymat e forta dhe ra nga një lartësi prej rreth 52 metrash.
Pamjet e shpërndara online tregojnë momentet pas rënies, ku ai shihet duke luftuar për të qëndruar në sipërfaqe mes ujërave të rrëmbyeshëm të lumit.
Ekipet e shpëtimit reaguan menjëherë dhe arritën ta lokalizonin në pjesën e poshtme të lumit. Ai u nxor nga uji dhe u transportua me urgjencë në spital.
Sipas autoriteteve, burri ka pësuar dëmtime të rënda, por gjendja e tij shëndetësore është stabilizuar dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Pas incidentit, autoritetet kanë përsëritur thirrjet për respektimin e rregullave të sigurisë dhe shmangien e zonave të ndaluara pranë ujëvarave, duke paralajmëruar se rrymat e fuqishme mund të jenë vdekjeprurëse edhe në rastet e pakujdesive të shkurtra.
