Teksa vëmendja globale është përqendruar tek rritja e çmimit të naftës, një krizë edhe më e rrezikshme po formësohet në heshtje: ajo e ushqimeve. Ekspertët paralajmërojnë se pas goditjes energjetike, bota mund të përballet me një valë të dytë inflacioni, këtë herë në tryezën e konsumatorit.
Një nga arsyet kryesore lidhet me plehrat kimikë. Bllokimi i Ngushticës së Hormuzit ka prekur rëndë furnizimin global, pasi përmes saj kalon një pjesë e madhe e plehrave dhe lëndëve bazë si amoniaku dhe ureja. Sipas Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë së OKB-së, kjo situatë rrezikon drejtpërdrejt prodhimin bujqësor në nivel global.
Paralajmërimet janë të forta. Bank of America vlerëson se konflikti mund të prekë deri në 70% të furnizimit botëror me ure, ndërsa çmimet e plehrave janë rritur tashmë me 30–40%. Kjo do të thotë më pak mbjellje, rendimente më të ulëta dhe në fund çmime më të larta për ushqimet bazë si buka, mishi dhe produktet e bulmetit.
Efektet kanë nisur të ndihen edhe në Shqipëri, ku çmimet e plehrave janë rritur me rreth 30%. Kjo godet drejtpërdrejt fermerët vendas, të cilët përballen me kosto gjithnjë e më të larta dhe prodhim në rënie, duke rritur varësinë nga importet.
Ndryshe nga kriza e vitit 2022 pas luftës në Ukrainë, këtë herë goditja pritet të vijë nga prodhimi. Mungesa ose shtrenjtimi i plehrave ul prodhimin e kulturave kryesore si gruri dhe misri, ndërsa rritja e çmimeve të energjisë, mbi 50% që nga nisja e konfliktit, shton kostot në gjithë zinxhirin e furnizimit.
Sipas analistëve të Schroders, kjo është “vala e dytë” e krizës: fillimisht goditet energjia, më pas ushqimi. Dhe kjo valë mund të jetë më e dhimbshme, sidomos për vendet me të ardhura të ulëta.
Historikisht, rritja e çmimeve të ushqimeve ka sjellë pasoja sociale dhe politike. Nga protestat në vitin 2022 deri te subvencionet masive në vende si Egjipti, qeveritë janë detyruar të ndërhyjnë për të shmangur tensionet.
Institucione si Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe organizata të tjera ndërkombëtare po shqyrtojnë masa emergjente për të zbutur goditjen. Por paralajmërimi është i qartë: nëse konflikti zgjat, problemi nuk do të jetë vetëm energjia por furnizimi global me ushqim.
Në fund, kriza që po vjen nuk do të matet me çmimin e naftës, por me çmimin e bukës.