Një natë e tensionuar është regjistruar në kantonin e Lucernit, ku hajdutët kanë vjedhur një makinë luksoze nga një autosallon, duke tronditur pronarët e biznesit.
Ngjarja ka ndodhur në Rickenbach LU, në autosallonin “MB Carcente”, ku është marrë një Porsche 718 Spyder RS me vlerë rreth 200 mijë franga zvicerane.
Sipas bashkëpronarit Milot Berisha, gjithçka ka nisur rreth orës 01:37, kur ai mori një njoftim në telefon nga sistemi i një Tesla të parkuar para garazhit. Duke kontrolluar kamerat “live”, ai vuri re persona të paidentifikuar që tentonin të hapnin automjetin dhe më pas konstatoi se ata kishin hyrë edhe brenda objektit.
“Brenda po lëviznin njerëz”, është shprehur ai, duke shtuar se menjëherë njoftoi policinë dhe u nis drejt vendngjarjes. Kur mbërriti, dëgjoi zhurmën karakteristike të makinës Porsche duke u larguar. Mjeti në fjalë ishte një model i veçantë me rreth 500 kuaj fuqi dhe dallohej për ngjyrën unike.
Policia e Lucernit reagoi me shpejtësi dhe, në bashkëpunim me autoritetet e kantonit Aargau, arrestoi tre të dyshuar në Dintikon AG. Sipas të dhënave zyrtare, bëhet fjalë për dy shtetas rusë dhe një francez, të moshës 18–21 vjeç, pa vendbanim në Zvicër.
Dyshohet se autorët kanë hyrë nga hyrja kryesore duke thyer një xham dhe më pas kanë hapur portën e garazhit nga brenda. Fillimisht ata mund të kenë synuar dy makina Lamborghini, pasi janë gjetur të hapura pjesë të tyre në kërkim të çelësave, por në mungesë të tyre, kanë zgjedhur Porsche-n, çelësi i së cilës ndodhej aty.
Për t’u larguar, hajdutët përdorën një furgon për të zhvendosur një Tesla që bllokonte daljen dhe më pas u arratisën me makinën e vjedhur.
Automjeti është sekuestruar nga policia, ndërsa dëmet ende nuk janë përllogaritur plotësisht. Berisha ka theksuar se biznesi është i siguruar, përfshirë edhe dëmet materiale, dhe është shprehur i lehtësuar për arrestimin e autorëve.
“Jam thjesht i lumtur që i kapën”, është shprehur ai, duke shtuar se kohët e fundit janë shtuar ndjeshëm rastet e vjedhjeve të makinave luksoze në Zvicër.